Kuvendi ka miratuar sot me riformulime ose më saktë me rekomandimet e Presidentit Ilir Meta dënimet në rastet kur qytetarët thyejnë masat ndaj përhapjes së koronavirusit në këtë gjendje fatkeqësie.
Ashpërsimi i kodit penal lidhur me situatën e Covid-19 gjatë këtyre ditëve ka shkaktuar mjaft diskutime, ndërkohë që sot u miratuan amendimet për shkak të pandemisë të propozuara nga deputetja Edlira Bode.
Deputetja Edlira Bode, propozuese e dy amendamenteve për ndryshime në Kodin Penal, sqaroi ditën e martë se qëllimi i tyre lidhet me parandalimin e përhapjes së infeksioneve dhe forcimin e luftës kundër epidemive, nisur nga situata që është krijuar nga pandemia globale Covid-19.
Në fakt sot në miratimin e ndryshimeve në këtë kohë pandemie, pikërisht në nenin 242/1 theksohet se kush nuk zbaton masat, dhe kush kryen veprime në kundërshtim me urdhrat e marra, nga organet shtetërore, dënohet me gjobë ose me burg deri në 6 muaj, por në ndryshim nga amendamenti i paraqitur nga Z. Bode, kjo gjë ndodh ndaj personit që i është dhënë më parë një masë administrative, për shkelje të këtyre rregullave.
Dhe nëse shkelja kryhet nga një aktivitet tregtar që rrezikon shëndetin e njerëzve rrezikon deri në 2 vjet burg.
Po në funksion të këtij neni, shihet se është shtuar fakti se, një person që nuk zbaton urdhrin e dhënë, nga organet kompetente për karantinimin, dënohet me burgim nga 2 deri në 3 vjet, pavarësisht faktit nëse personi është mbartës ose jo i sëmundjes infektive.
Ndërkohë që në amendamentin e propozuar nga Z. Bode thuhet se kjo masë mund të merret kur është shkaktuar rrezikimi i jetës apo kur ka ardhur vdekja e një personi.
Më konkretisht ndryshimet e miratuara në Kodin Penal ditën e sotme janë këto:
-Nëse një qytetar ndaj të cilit është dhënë më parë gjobë dhe përbën kundravajtje atëherë dënohet me gjobë deri në 6 muaj burg.
-Kur kundravajtja është kryer në ushtrim të akvititetit tregtar dhe rrezikon shëndetin e njerëzve gjobë deri në 2 vjet burg.
-Nëse nuk zbatohet urdhri i detyruar për karantinim 2 deri në 3 vjet burg.
-Përhapja me dashje e sëmundje infektive 2 deri në 5 vjet burg.
-Përhapja nga pakujdesia e sëmundjes infektive gjobë deri në 2 vjet burg.
-Kur përhapja e sëmundjes infektive ka lënë pasoja të rrezikshme për jetën e njerëzve, nga 3 deri në 8 vjet burg.
Ndërkohë Kodi Penal u miratua sot në seancën e Kuvendit me 88 vota pro, 11 kundër, 3 abstenim, edhe pse Organizatat e Shoqërisë Civile, gjithashtu edhe Avokati i Popullit, u shprehën kundër ashpërsimit pasi sipas tyre, cenojnë të drejtat, dhe liritë themelore të shtetasve./abcnews.al