“E kishit aty Rashicën, do veproja edhe unë si ai! Si e tërboj De Biasin kur e takoj”

schedule08:57 - 16 Prill, 2020

schedule 08:57 - 16 Prill, 2020

Altin Lala, ish-futbollisti i kombëtares shqiptare, i cili menaxhon edhe sulmuesin Milot Rashica, ka folur gjerë e gjatë për klientin e tij, duke bërë me dije fillimisht se këtë verë do të largohet nga Werder Bremen. “Ishte ekipi i duhur për Milotin dhe disi më vjen keq që këtë vit ndodhet në vështirësi, por futbolli i ka këto luhatje.

Tani ka ardhur koha për një hap tjetër në karrierë. Mendoj se nuk ka mbaruar zhvillimi i Milotit dhe besoj që mund të bëjë edhe më shumë në një klub tjetër, që është i përshtatshëm për stilin e tij të lojës dhe ku do të mund të tregonte vlerat e tij si lojtar sulmues”, tregon Lala në emisionin “Interaktiv” në KTV.

 

Synimi i Milotit për të ardhmen është i qartë dhe Lala flet për ofertat: “Ka pasur skuadra shumë interesante që janë interesuar për Milotin, që vazhdimisht luajnë në Ligën e Kampionëve dhe janë të përshtatshme për Milotin. Besoj brenda 2-3 javësh do ta marrim një vendim dhe do ta kuptoni të gjithë. Mendoj, që edhe për Milotin ka ardhur koha të bëjë hapin e radhës në karrierën e tij”.

Lala ndër të tjera saktësoi se Lazio nuk është opsion tani dhe Igli Tare nuk luan rol në një lëvizje të Rashicës drejt Serie A. Sipas tij, klubi italian duhet të ishte interesuar më herët.  I ngacmuar në lidhje me një transferim te Liverpool, Lala shton: “Miloti ka treguar vlerat e tij, duke shënuar një numër të madh golash dhe po ashtu ka asistuar.

 

Kjo ka bërë që të jetë në listën e shumë klubeve. E di që në Kosovë ka shumë tifozë të Liverpool dhe më i njohuri është Mc Kresha, i cili është edhe mik i Milotit. Gjithsesi atij nuk do i mbetet hatri po nuk u transferua Miloti te Liverpool”. Lala kthehet pas edhe në të shkuarën, teksa tregon për herë të parë Milotin e pa në një ndeshje me Kosovën U21, ku ai shënoi një gol me penallti dhe asistoi te gol tjetër.

Atëherë nuk i kishte mbushur 17 vjeç dhe Lala i siguroi një provë te Hannover 96 dhe aty pësoi një dëmtim. Vittesse ishte trampolina për Rashicën, i cili i bindi të gjithë me cilësitë e tij dhe tanimë te Werder Bremen kanë trokitur shumë klube të mëdha. Lala flet edhe për Kosovën,që sipas tij ka bërë 2-3 hapa para, shumë shpejt.

 

“Unë e kam pritur suksesin e Kosovës, por jo që të vinte kaq shpejt. Entuziazmi për futbollin në Kosovë është i jashtëzakonshëm, aq më tepër edhe tifozët janë të zjarrtë. Të gjesh bileta në Kosovë është e vështirë, edhe po të kishte stadium me 50 mijë ulëse do të kishe vështirësi. Lojtarët që kanë ardhur dhe vijnë te Kosova, kanë kualitete jashtëzakonisht të mira. Unë mendoj që janë bërë 2-3 hapa përpara dhe po ta shikosh historinë e Kosovës është shumë e re”, ka shtuar ish-mesfushori.

Një nga temat delikate është zgjedhja e Kosovës nga Rashica dhe Lala shprehet kështu: “Po të ftohej në Evropian, nuk do të mund të luante për Kosovën. Ua kam thënë që Milotin e kishit aty dhe nuk e mbajtët. Vendimi i tij për të luajtur për Kosovën është vendim i duhur, pasi Miloti është prodhim i Kosovës, ka dal nga Vushtrria, nga futbolli në Kosovë. Edhe unë po të isha në vend të Milotit, kështu do të vendosja.

 

Unë i kam thënë Milotit vendos me zemër. Ne faktikisht të gjithë e duam Shqipërinë dhe Kosovën, faktikisht jemi një. Në një të ardhme, shpresoj që të luajmë për një Kombëtare. Unë jam për një Kombëtare.  Unë nuk kam lënë gjë pa i thënë De Biasit. Kam qenë i surprizuar, pasi kam menduar që Miloti do të ishte pjesë Kombëtares për Evropian dhe të luante në formacionin e Kombëtares. Në atë kohë, Miloti ishte lojtari më i mirë që kishte shqiptaria.

Kishte shënuar 9 gola me Vitessen dhe kishte dhe shumë asistime. Ishte në formë shumë të mirë, djalë i ri, 19 vjeç. Të gjithë kanë luajtur në mosha të reja dhe mosha nuk është argument. Aq më tepër, kur Shqipëria mbrohej, po themi në stilin italian të De Biasit. Me lojtar si Miloti do të mund të kalonte ndoshta edhe deri në çerekfinale. Për mua ishte vendim i gabuar dhe sa herë që e shoh De Biasin e shaj, kuptohet që me shaka, pasi ne kemi raporte të mira me njëri tjetrin. Tallem me të shpesh, i them që nuk merr vesh nga futbolli, ose nga futbolli në sulm”, përfundon Lala. /abcnews.al