Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtes Sociale Ogerta Manastirliu ka zhvilluar një takim me epidemiologët e Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor në Tiranë të cilët kanë treguar disa nga vështirësitë që hasin gjatë punës së tyre. Ata kanë treguar procedurën që ndjekin për të gjurmuar rastet e prekura me covid -19 në vendin tonë.
“Nuk kemi njohur as natë as ditë, problemi ka qenë të kapim thelbin, pra kush është vatra infektive dhe pastaj të rrotullohemi tek kontaktet përqark.
Në rastet kur kemi të konfirmuar bëhet hetimi i personave të afërm, të rangut të parë dhe të dytë, bëhet distancimi social duke thënë karantimi 14-ditor në momentin kur kemi një pozitiv ditën e parë dhe pastaj ndiqen duke bërë bashkëpunimin me mjekun e familjes i cili e ndjek çdo ditë dhe raporton dhe tek ne për ecurinë e gjendjes shëndetësore.
Vështirësia është me njerëzit që ne duhet t’ia shpjegojmë atyre rëndësinë e distancimit social dhe gjumimit të kontakteve”, thonë disa nga epidemiologët.
Lexo edhe: 19 raste të reja me koronavirus gjatë 24 orëve të fundit, mes tyre një infermiere
Ministrja e Shëndetësisë u shpreh se ka 9 grupe pune epidemiologësh në të gjithë vendin, duke vlerësuar maksimalisht punën e tyre në terren për gjurmimin e rasteve të dyshuara dhe identifikimin e tyre në kohë.
“Të dhënat që vijnë nga terreni tregojnë se situata është e qëndrueshme, ndërsa vijon puna pa u ndalur me epidemiologët dhe të gjithë strukturat e kujdesit shëndetësor vendor për gjurmimin e rasteve me COVID19. Po bëhet një punë organizative nga të gjithë strukturat e njësive vendore të kujdesit shëndetësor në të gjithë Shqipërinë.
Kemi 9 grupe të cilat janë organizuar nga strukturat vendore të kujdesit shëndetësor të Rajonit të Tiranës, të cilat janë duke punuar 24 orë në 7 ditë të javës, për të evidentuar, për të gjurmuar, për identifikuar dhe për të bërë gjithë hetimin epidemiologjik, për t’i dhënë gjithë informacionin e nevojshëm Institutit të Shëndetit Publik e më pas për të marrë ato të dhëna të cilat janë të rëndësishme për të kuptuar situatën në terren, në mënyrë që ne të jemi shumë më të qetë për të marrë vendimet e duhura përsa i përket vijimit të masave shtrënguese”, tha Manastirliu.
Manastirliu tha se pavarësisht lehtësimit me pikatore të masave shtrënguese, duhet te vijojë respektimi i masave te vendosura për të kufizuar shpërndarjen e virusit.
“Sigurisht është bërë një lehtësim shumë me pikatore përsa i përket masave shtrënguese, duke zgjeruar dhe fashën e lëvizjes nga ora 5 e mëngjesit në orën 17:30 të pasdites në një limit prej 90 minutash. Por dua të theksoj edhe njëherë që asgjë nuk ka ndryshuar nga rregullat e mëparshme. Duhet të vijojmë të ruajmë distancimin fizik, duhet të vijojmë që të mbajmë higjienën personale dhe të moshuarit duhet të vijojnë të rrinë në banesë”, tha Manastirliu./ abcnews.al