Elvin Beqiri, trajneri i Shqipërisë U17, foli sot në një lidhje direkte me emisionin “Fan Zone” në Supersport. Fillimisht ai foli për përgatitjet dhe më pas kaloi edhe te Vllaznia e kombëtarja. “Lojtarët po stërviten, por jo në kushtet optimale. Si të gjithë qëndrojnë në shtëpi dhe presin që të përfundojë kjo situatë. Ata duhet të jenë gati për rinisjen e kampionatit”.
“Sigurisht që kjo gjendje, jo vetëm për mua, por për të gjithë është një gjendje ngërçi. Nuk punojmë dot si përpara. Është një situatë që po e kalon e gjithë bota. Puna jonë është me periudha, çdo muaj, ose çdo dy muaj. Po mundohemi të jemi aktivë me kolegët, por edhe me lojtarët. Po japim udhëzime dhe po interesohemi për gjendjen e tyre. Jemi duke u munduar t’u plotësojmë ato boshllëqe që kanë për momentin”.
“Vllaznia? Faktikisht ka pasur disa luhatje gjatë kampionatit. Në atë moment që ishte mirë u ndal edhe kampionati. Kisha besim se do ngjitej në klasifikim, për t’u ngjitur në mes dhe për të mos rrezikuar. Ekipi është i plotësuar, edhe stafi punon goxha. Trajneri Jonuz po mundohet të bëjë më të mirën e tij, që të mos kalojë stresin e para dy viteve, kur ramë nga kategoria. Shpresoj të dalim nga kjo gjendje ne dhe ekipi.
“Kombëtarja? Kemi kujtime të bukura. Kemi bërë shumë ndeshje të mirë. Kujtoj disa prej tyre, por më pikantet janë ajo me Rusinë dhe ajo me Greqinë, ku morëm një fitore historike. Mposhtëm kampionët ë e Europës. Edhe në ndeshje të tjera kemi bërë paraqitje të mira dhe kemi kujtime të mira”.
“Sa i takon ndryshimit të brezave, koha bën të veten. Ne patëm fatin të shohim ekipin në Europian, e kemi ëndërruar të gjithë diçka të tillë. Kam shpresë që të rikthehemi sërish dhe të marrim pjesë në Europian, pse jo edhe në Botëror. Brezi aktual është i mirë, me trajnerin Reja që po gërsheton brezat. Uroj të marrim rezultate pozitive në vazhdim”. /abcnews.al