Konfirmohet me Covid 19 pronari i një restoranti në Elbasan, shumica e të infektuarve kliente të tij

schedule21:22 - 6 Prill, 2020

schedule 21:22 - 6 Prill, 2020

Mbrëmjen e kësaj të hëne është konfirmuar pozitiv me koronavirus një tjetër person në Elbasan duke e çuar në 11 numrin e rasteve të prekura në këtë qytet.

Gazetari Aldo Kozarja raporton për ABC News se rasti i fundit i konfirmuar është një 46 vjeçar, pronari i një restoranti që ndodhet pranë Gjykatës së Elbasanit është prekur nga koronavirusi. Ai ka shfaqur probleme të rënda shëndetësore paraditen e së hënës dhe është dërguar me urgjencë në spitalin Shefqet Ndroqi apo siç është emërtuar tani COVID-2. Pasi kreu skaner dhe mjekët patën dyshime të forta se ai mund të jetë infektuar nga koronavirusi i morën tamponin dhe në mbrëmje përgjigjia rezultoi pozitive. Ai po trajtohet në spital dhe po mjekohet.

Sipas hetimeve të mjekëve kjo ndoshta është vatra më e madhe e konfirmuar e perhapjes se infeksionit në këtë qytet, pasi dyshohet se një pjesë e madhe e të infektuarve kanë qarkulluar në këtë restorant.

Gazetari i abcnews.al bën me dije se në po të njëjtin ambjent është infektuar edhe kasapi që furnizonte me mish restorantin, i cili më pas ka infektuar edhe bashkëshoten e tij, e cila që është konfirmuar pozitive me Covid 19 një ditë më parë.

Ndërkohë mësohet se këtë të hënë janë marrë tamponët 12 personave të tjerë për të cilët pritet përgjigja. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!