Sulmuesi i Laçit, Kyrian Nwabueze, është një ndër zbulimet më të bukura të këtij sezoni në Superiore. Bomberi i kurbinasve është i pari në listën e golashënuesve në elitën e futbollit shqiptar, me plot 17 gola, por vazhdon të ndiqet nga sulmuesi i Kukësit, Vasil Shkurtaj, që ka realizuar 16 herë.
Nwabueze ka treguar për Supersport si po i kalon ditët e izolimit, foli për të ardhmen e tij, ku nuk e mohoi një kalim të mundshëm të Partizani, si dhe u përgjigj prerë pyetjes nëse do të luajë apo jo për kombëtaren e Shqipërisë.
IZOLIMI – “Për momentin, Shqipëria nuk është shumë keq, pasi në Amerikë situata nga Koronavirusi është më e keqe. Unë tentova të largohem, por kufijtë ishin mbyllur dhe mbeta në Shqipëri. Nuk po ankohem, po mendoj edhe për objektivat e së ardhmes. Në Amerikë nuk mund të jesh kaq i izoluar dhe këtu jam më i sigurt”.
E ARDHMJA – “Tani për momentin jam te Laçi, por më vonë do të mendoj. Nga Amerika, më shumë më mungojnë miqtë dhe ushqimi i nënës”.
STËRVITJA – “Unë stërvitem çdo ditë, shëndeti është në plan të parë. Shikoj shpesh lajmet, më pas bëj stërvitje me qenin tim”.
ULJA E PAGAVE – “Është e kuptueshme, por edhe ne kemi familje, fatura dhe gjëra të tjera. Nuk jam dakord, por është e kuptueshme për shkak të situatës”.
ASISTET – “Puna ime është të shënoj gola. Një nga defektet që kam dhe po punoj ta përmirësoj, është që të jap më shumë asiste”.
SKUADRA MË E MIRË – “Nga ana taktike janë Partizani dhe Tirana, të cilët na vendosin më shumë në vështirësi në Shqipëri”.
IDHULLI – “Lojtarët e mi të preferuar janë Ronaldinho, Eto’o dhe Drogba”.
KALIM TE PARTIZANI – “Vazhdimisht dua të përmirësohem, dua të kaloj në një kampionat më të fortë, por kurrë mos thuaj kurrë”.
KOMBËTARJA E SHQIPËRISË – “Nuk do të luaj kurrë për Shqipërinë”, përfundoi sulmuesi i Laçit./abcnews.al