Sergio Ramos, tashmë 34 vjeç, nuk garanton edhe shumë sezone në nivel të lartë dhe te Real Madrid po mendojnë të shohin që tani për një zëvendësues të kapitenit. Bernabeu Digital, raporton se orët e fundit është folur si opsion një emër i njohur si Metthijs De Ligt i Juventus.
Sigurisht do të ishte një operacion shumë i ndërlikuar merkatoje blerja e holandezit, për të cilin bardhezinjtë paguan 75 milion euro verën e shkuar. E njëjta media raporton se në Serie A po vëzhgohen edhe dy lojtarë të tjera me perspektivë.
Njëri është serbi Nikola Milenkovic, i Fiorentinës, një lojtar me potencial dhe që ka treguar vlera në një kampionat mjaft të vështirë si italiani. Tjetri është Marash Kumbulla, i cili sipas Bernabeu Digital është 22 vjeç (në fakt ka mbushur 20 vjeç në shkurt), dhe po vëzhgohet nga madrilenët.
Mbrojtësi i Hellas Verona, i vlerësuar me rreth 25 milion euro, po kërkohet nga disa klube të Serie A, ndërkohë që janë përmendur edhe klube gjermane e angleze që po e vëzhgojnë me kujdes. Tani në listë shtohet edhe Real Madrid. /abcnews.al


