Futbolli shqiptar është bërë bashkë dhe po kërkon ndihmë nga shteti shqiptar në këto ditë të vështira. Klubet e Superiores po hasin probleme të mëdha, teksa gjendja në kategoritë e ulta është edhe më e rëndë.
Shteti duhet të ndërhyjë, jo për ndihmë por si detyrim për taksat që merr nga klubet shqiptare. Këtë mendim shpreh Armand Duka gjatë prononcimit për Panorama Sport. Kreu i FSHF-së e mbyll me një koment për lojtarët që nuk do të paguhen nga drejtuesit e klubeve ku luajnë.
Kryeministri Edi Rama përmend vazhdimisht golat e Kombëtares në fund dhe u bën thirrje njerëzve që të mos e bëjnë si kombëtarja e futbollit… Si ndiheni kur e dëgjoni këtë?
Në kuptimin që e merr shembull Kryeministri ka të drejtë që mos të hamë gol në minutë të fundit, ashtu siç ka të drejtë po të thotë të marrim shembull nga Kombëtarja se si shkohet në Europë.
Kriza financiare ka kapur klubet prej kohësh dhe pasojat e kësaj fatkeqësie së fundmi mund të çojnë drejt falimentit disa prej tyre. Drejtuesit e tyre presin të ndihmohen nga qeveria, madje kërcënojnë me largim nëse nuk mbështeten. Si e shikoni këtë situatë?
Për përmirësimin e infrastrukturës ligjore në të mirë të sportit kemi diskutuar e do të vazhdojmë të diskutojmë në kushte normale. Ajo që duhet të diskutojmë për momentin është mbijetesa e klubeve dhe e njerëzve që e kanë profesion futbollin; kjo është detyrë e çdo qeverie dhe jo ndihmë, pasi të gjithë kanë paguar taksa, dhe paralelisht një paketë financiare për vazhdimësinë e kthimin në normalitet të tij. Vërtet jemi vend i varfër, por sa më i varfër se Kosova jemi? Siç e dini, Kosova ka përcaktuar një grant prej 5 milionë eurosh.
Çfarë do të bëhet me ata lojtarë që klubet ku luajnë nuk janë në gjendje t’i paguajnë në këtë situatë. A mund të ndërhyjë FSHF?
FSHF ka një buxhet vjetor më të vogël se fondi i pagave për këtë situatë, por me ato mundësi financiare që ka, edhe borxhe do të marrë dhe s’do t’i lërë anëtarët e vet në rrugë. /abcnews.al