Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë ka kundërshtuar veprimin e fundit të qeverisë Kurti për vendosjen e masave të reciprocitetit ndaj Serbisë.
Siç thuhet në komunikatë, SHBA-ja ka qenë e qartë rreth asaj se Kosova duhet ta heq taksën pa vendosur barriera të reja, sepse sipas tyre politika të tilla lëndojnë popullin e Kosovës.
Për SHBA’në, masa e reciporcitetit krijojnë më shumë probleme, në një kohë kur po provohet që të krijohen kushte për dialog të suksesshëm pas arritjes së tri marrëveshjeve për linjën ajrore, hekurudhore dhe autostradën.
“Shtetet e Bashkuara ishin të qarta se Kosova duhet të heqë të gjitha tarifat dhe të mos krijojë barriera të reja sepse këto politika lëndojnë njerëzit e Kosovës dhe e ngulfatin ekonominë e vetë Kosovës. Mbesim në kundërshtim të veprimit të fundit për zbatimin e masave të reciprocitetit ndaj qarkullimit të mallrave nga Serbia. Këto masa krijojnë më shumë probleme në kohën kur SHBA-të besojnë se marrëveshjet për linjë ajrore, hekurudhore, dhe për autostradë, të arritura mes të dyja palëve, do të rrisin zhvillimin ekonomik kur ato të zbatohen, dhe do të krijojnë kushtet e nevojshme për dialog të suksesshëm”, thuhet në reagim.