Philippe Coutinho do të ndryshojë ekip këtë verë, pasi Bayern Munchen nuk do ta ushtrojë të drejtën për ta blerë mesfushorin e avancuar që është nën kontratë me Barcelonën. Katalanasit nga ana tjetër duan ta shesin me çdo kusht, në mënyrë që të përfitojnë financiarisht.
Menaxheri i Coutinho ka nisur nga puna dhe po synon t’i gjejë ekip sa më shpejt brazilianit. Sipas gazetarit të Mundo Deportivo, Francesc Aguilar, së fundmi fantazisti i është propozuar anglezëve të Liverpool, por trajneri Jurgen Klopp nuk e ka në planin e tij Coutinho.
Gjermani nuk e preferon brazilianin, ai do një anësor tipik, si Ousmane Dembele. Ndoshta mund të tentohet edhe francezi, nëse Barcelona do t’i ulë pretendimet për kartonin e sulmuesi të blerë nga Borussia Dortmund për 120 milion euro. /abcnews.al