“Russigate”, ish-këshilltari i Trump pranon fajin

schedule20:45 - 23 Shkurt, 2018

schedule 20:45 - 23 Shkurt, 2018

Një ish-këshilltar elektoral i presidentit amerikan ka bërë një lëvizje që mund t’i hapë telashe ish-shefit të tij. Rick Gates ka pranuar në gjykatë se ka gënjyer hetuesit për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet presidenciale.

Rick Gates, ish-këshilltar i Donald Trump gjatë fushatës elektorale, është deklaruar fajtor në gjykatë për një sërë akuzash, më e rënda prej të cilave ajo e komplotit në dëm të Shteteve të Bashkuara. Në seancën e mbajtur këtë të premte, Gates ka pranuar edhe se ka gënjyer hetuesit që kanë në dorë çështjen e njohur si “Russiagate”. Gates, ish-numri dy i stafit elektoral të Trump, po hetohet nga zyra e prokurorit të posaçëm Robert Mueller për ndërhyrjen ruse në procesin zgjedhor të vitit 2016.

Ai po përballej me një dënim disa-dhjetëra-vjeçar edhe për një sërë akuzash të tjera të rënda, mes të cilave “mashtrim bankar” dhe “komplot për pastrimin e parave”. Por, duke qenë se u vetëdeklarua fajtor, dënimi i tij reduktohet në rreth 6 vjet burg. Pranimi i fajit nga Gates mund të rrisë presionin ndaj bashkëpunëtorit të dikurshëm të tij, Paul Manafort, menaxher për 5 muaj i fushatës së Trump, që të bëjë një marrëveshje të ngjashme me hetuesit. Sidoqoftë, pas veprimit të Gates në gjykatë, Manafort ka reaguar duke theksuar se i qëndron pafajësisë së tij. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!