Fshati Borizanë, 15 km nga qyteti i Krujës është vatra më e re e koronavirusit në vend, me 5 të prekur. Vetëm njëri nga të infektuarit ndodhet në Infektivin e Tiranës për ndihmë mjekësore, pjesa tjetër janë vetëizoluar.
Kamera e “ABC News” ishte fshatin Borizanë, ku 3 mijë banorë prej ditësh, jetojnë me frikën e përhapjes së virusit edhe tek ta.
Pjesa më e madhe e tyre jeton në kushte të vështira. Një prej tyre është edhe Familja Rinxhi me 11 anëtarë, pjesa më e madhe të mitur. E zonja e shtëpisë tregon se është në dijeni për të prekurit. Frika e saj janë fëmijët, nipërit dhe mbesat.
“Po janë prekur e kemi marrë vesh. Nuk kemi çfarë bëjmë, gjithë ditën me duart në ujë”, shprehet ajo.
Keni frikë?
“Si nuk kemi frikë. Kemi fëmijët e vegjël, ne e kemi kaluar një moshe. Unë kam 7 fëmijë të djalit. Çfarë të bëj? Si nuk kam frikë”, thotë ajo.
Kryefamiljarja rrëfen se po kalojnë ditë shumë të vështira.
“Nuk kemi asnjë lloj kushti. Jemi fukarenj. Unë dhe burri im kemi jetuar me kanaçe, e di gjithë fshati. Me vdiq burri, kanë ardhur njerëzit e tij e na kanë dërguar ushqime, me ato e kemi kaluar”, shprehet kryefamilajrja.
Në shtëpi mungon uji i ngrohtë.
“Nuk kemi tjetër, përdorim vetëm këtë. Për të larë fëmijët ndez një zjarr, ngroh ujin dhe i laj. Nuk kam para për të blerë maska dhe doreza. Kam shumë frikë, kam edhe dy vajza”, thotë ajo.
Masat shtrënguese të qeverisë e kanë vështirësuar jetesën për shumë familje me probleme ekonomike. /abcnews.al