Mutu: Tek Interi vetëm Ferrari e Lamborghini, Peruzzi desh më mbyti një ditë

schedule20:56 - 28 Mars, 2020

schedule 20:56 - 28 Mars, 2020

Të gjithë e mbajnë mend Adrian Mutu. Ish-sulmuesi provoi të luante me skuadra të ndryshme si Inter, Juventus, Chelsea, Parma dhe Fiorentina. Te dy skuadrat e fundit zhvilloi sezonet më të bukura, teksa ishte shumë i ri kur la Dinamo Bukuresht për t’u transferuar tek Interi.

Talenti rumun rrëfen ditët e para me zikaltrit në një bisedë në rrjetet sociale me Sebastian Frey, ish-portierin e njohur francez. Nga idhujt me të cilët u bë shok skuadre, sprinti për të mos i rënë në duar portierit Peruzzi dhe makina që duhet të kishe tek Interi.

Isha 20 vjeç kur erdha tek Interi. Në skuadër ishin Ronaldo, Baggio, Zamorano, Zanetti, Recoba, Panucci, Vieri, Peruzzi, Blanck, Di Biagio, Seedorf, Cordoba. Të gjithë ishin idhujt e mi. Ndaja dhomën e zhveshjes me ta, i admiroja dhe i vlerësoja.

 

Ivan Cordoba dhe Adrian Mutu, dy nga blerjet e Interit në vitin 1999

 

Një ditë, gjatë një stërvitje, skuadra ime fitoi një penallti. I kërkova Roberto Baggios nëse mund ta godisja unë. Kisha mbërritur 10 ditë më parë, gjuajta një parabolë dhe topi u plas në traversë. Në portë ishte Peruzzi, i cili filloi të më turrej në vrap. Mu desh të ikja deri në fushën e tretë, nuk u ktheva më pas derisa u sigurova që ishte larguar.

Më dhuruan një makinë pak kohë pasi ika tek Interi. Isha në autostradë dhe pashë të më afrohej nga pas Bobo Vieri. Kishte një Ferrari. Më pa, buzëqeshi dhe u zhduk prej aty. Mbërrita në qendrën stërvitore çerek ore pas tij. Doja të parkoja, por më thanë që aty mund të qëndronin vetëm makinat Ferrari dhe Lamborghini.

Mu desh të shkoja në parkingun e tretë dhe në kthim e bëra gjithë rrugën në këmbë. Sapo u ktheva në shtëpi telefonova agjentin tim. I kërkova rrogën e parë, sepse atje duhej të kishe vetëm Ferrari ose Lamborghini”, deklaron Adrian Mutu. /abcnews.al