Fundjava ne izolim total, nga hëna merrni leje online ose me sms për të dalë në pazar, s’lejohen pensionistët

schedule18:02 - 27 Mars, 2020

schedule 18:02 - 27 Mars, 2020

Këtë fundjavë do të mbylleni në shtëpi për 40 orë, siç bëtë javën e shkuar. Të shtunën pas orës 1, e gjithë e diela dhe deri të hënën në orën 5 të mëngjesit, asnjë makinë e asnjë këmbësor nuk do të lejohet në rrugë. Të gjithë qepenat e dyqaneve a farmacive do të jenë mbyllur.

Por nga e hëna, as pazarin në këmbë nuk mund ta bëni dot pa leje.

Për çdo familje, vetëm një person mund të marrë leje një herë në ditë nga policia për të dalë në rrugë.

Format janë dy:

Për ata që kanë llogari në e-albania dhe kanë një telefon inteligjent duhet të aplikojnë në këtë formë:

Së pari duhet të hyjnë në platformë, pastaj të zgjedhin shërbimin “Leje dalje”. Menjëherë ju del përbërja e familjes suaj dhe zgjidhni emrin e familjarit që do të bëjë pazaret.

Më pas, zgjidhet data kur do të bëhet dalja si dhe ora kur do të dilni, nga ora 5 në 13:00 të cdo dite.

Do të duhet të shënonin numrin e telefonit dhe ta dërgoni aplikimin. Menjëherë do t’ju vijë në telefon autorizimi të cilin duhet t’ja tregoni policit nëse ju ndalon.

Nëse nuk keni një telefon të avancuar, lejen mund ta merrni përmes një mesazhi që do të dërgoni në numrin: 55155. Do të shënohet numri i kartës identitetit, vend bosh dhe ora e daljes. Pas miratimit, SMS vjen në celular dhe mund të kontrollohet nga polica.

Leje vlen vetëm për një ditë. Për të dalë nesër, duhet të aplikoni që sot.

Një leje e tillë nuk do të jepet për pensionistët.

Kush kapet pa leje në rrugë, veç gjobitjes prej 100 mijë lekësh të vjetër, do t’i sekuestrohet edhe automjeti, nëse e ka një të tillë.