Tuci: Idhulli im është Adriano, shpresoj të luaj për Interin në të ardhmen

schedule17:04 - 27 Mars, 2020

schedule 17:04 - 27 Mars, 2020

Sulmuesi i talentuar shqiptar, Indrit Tuci, foli në emisionin Fan Zone në Supersport, aty ku sqaroi të ardhmen e tij, tregoi vendin ku ndodhet aktualisht, si dhe tregoi ndjesinë që kishte kur debutoi me Shpresat U-21, në takimin kundër Anglisë.

“Për momentin, ndodhem te shtëpia ime në Laç. Sapo kam ardhur sot nga Zagrebi. Këtu ka rënë dhe tërmeti, të gjitha. Unë kontaktova në Ambasadë, më dhanë leje të kaloj tre shtete nën shoqërimin e policisë, që të mos bëjmë ndalesa rrugës. Jo, në Zagreb nuk kemi bërë teste. Kemi dy javë që kemi ndaluar stërvitjen dhe kemi qëndruar vetëm në shtëpi.

Po, siç e kam thënë, çunat e ekipit na thërrasin “Banda e shqiptarëve”. Ne rrimë gjatë gjithë kohës bashkë, shoqërohemi bashke, edhe shokët e skuadrës na mbajnë mirë. Ky është viti i parë në futbollin profesionist në Kroaci, kam shënuar 2 gola dhe kam dhënë 2 asiste. Siç e dinë të gjithë, Kroacia është trampolina më e mirë në Ballkan. Objektivi im është të luaj sa më shumë te Lokomotiva, ndërsa vitin tjetër dua të hedh hapin e madh, sigurisht.

Që 6 vjeç, kam parë Adrianon teksa luante për Interin, ajo është ëndrra ime. Shpresoj që një ditë të jem tek Interi. Debutimi ishte shumë i mirë, kam luajtur kundër Hajduk Splitit, aty luan Ismajli. Ai më priti shumë mirë, më tha suksese. Ishte ndeshja ime debutuese.

Kemi ardhur vetëm dy veta në Shqipëri, unë dhe Myrto Uzuni. Kontrata ime? Unë firmosa edhe për katër vite të tjera dhe deri në 2023, jam te Lokomotiva. Për momentin, jam i fokusuar vetëm këtu. Normalisht, në grumbullimin e parë me Shpresat, çunat më kanë pritur shumë mirë, edhe stafi. Po bëhet një punë shumë profesioniste te kombëtarja.

Unë fanellën e kombëtares ishte hera e parë që e vishja përballë Anglisë në “Loro Boriçi” dhe ishte ndjenja më e bukur në botë, nuk mund ta përshkruaj. Shpresoj që me Kombëtaren A, të jetë ndjenja edhe më e pabesueshme. Shumë faleminderit”, përfundoi Tuci.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!