Sondazh

Kupa e Botës, shkon:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Kapitenia kuqezi që nuk u dorëzua kurrë! Dy medalje europiane dhe dhjetëra trofe! Kush është Ornela Lalaj?

schedule14:09 - 1 Korrik, 2026

schedule 14:09 - 1 Korrik, 2026

Pas çdo trofeu, medaljeje dhe duartrokitjeje fshihen vite të tëra pune, sakrificash dhe përkushtimi. Kjo është historia e Ornela Lalajt, një prej basketbollisteve më të suksesshme shqiptare, e cila prej vitesh mban lart emrin e Shqipërisë dhe të klubit të saj, duke u kthyer në një nga figurat më të rëndësishme të basketbollit shqiptar.

Rrugëtimi i saj nisi në Korçë, në klasat sportive të shkollës “Sotir Gurra”, ku mësuesit e edukimit fizik Altin Çale dhe Lida Shehu vunë re talentin e saj. Ishte pikërisht trajneri Altin Çale ai që besoi tek Ornela që në ditët e para, duke e ftuar të bashkohej me ekipin e moshave të basketbollit të Korçës. Besimi i tij mbetet edhe sot një nga shtysat më të mëdha të karrierës së saj.
“Në fillim isha thjesht një fëmijë që e donte sportin”, tregon Ornela. Por me kalimin e viteve, pasioni u shndërrua në profesion dhe basketbolli në mënyrë jetese. Vetëm 17 vjeçe veshi fanellën e Kombëtares shqiptare, ndërsa më pas nisën të vinin njëri pas tjetrit trofetë ekiporë dhe çmimet individuale.

Sot, si kapitene e Partizanit dhe ish-kapitene e Kombëtares shqiptare, ajo numëron fitore në Kupën e Shqipërisë, Superkupë dhe Ligën Unike, ndërsa ka fituar medaljen e bronztë në Kampionatin Europian të Shteteve të Vogla në vitin 2024 dhe medaljen e argjendtë në edicionin e fundit. Në të dy turnetë është nominuar për çmimin MVP dhe është përzgjedhur në pesëshen më të mirë të kampionatit, një vlerësim që kurorëzon vite të tëra pune.



Ndër momentet më të paharrueshme të karrierës së saj mbetet triumfi në Kupën e Shqipërisë me Partizanin ndaj Flamurtarit, nën drejtimin e trajneres Ledina Koçi, si dhe fitimi i Ligës Unike me trajneren Erta Bujari. Po aq emocionues ishte edhe sezoni i fundit, ku Partizani përmbysi serinë finale ndaj Tiranës nga 0-2 në 3-2, duke treguar karakter, besim dhe forcë si skuadër.
Megjithatë, Ornela thekson se suksesi nuk shihet vetëm në parket. Pas çdo ndeshjeje fshihen orë të gjata stërvitjeje, rikuperimi, dëmtime, mungesa në festa familjare dhe shumë sakrifica personale. Ka pasur momente të vështira, por dashuria për basketbollin ka qenë gjithmonë më e fortë se çdo pengesë.

Përveç sportit, ajo ka ndërtuar edhe një karrierë akademike. Ka përfunduar studimet për Psikologji dhe ka punuar si psikologe në një shkollë 9-vjeçare. Sipas saj, psikologjia e ka ndihmuar të menaxhojë më mirë emocionet, presionin dhe të kuptojë më mirë njerëzit, cilësi që i vlejnë çdo ditë edhe në sport. Për Ornelën, veshja e fanellës së klubit dhe e Kombëtares është një privilegj dhe një përgjegjësi e madhe. Ajo beson se sporti i femrave në Shqipëri meriton më shumë investime, mbështetje dhe vëmendje, sepse talenti nuk mungon, por ka nevojë për kushtet e duhura që të zhvillohet.

Sot, ditët e saj organizohen mes stërvitjeve, rikuperimit dhe familjes, ndërsa objektivat mbeten po aq të mëdha sa në ditën e parë. Ajo dëshiron të fitojë edhe më shumë trofe, të vazhdojë të përfaqësojë me dinjitet Shqipërinë dhe të frymëzojë brezin e ri që të besojë tek vetja./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!