Ministrja greke që firmosi marrëveshjen detare të vitit 2009 ka thirrur në interpelancë ministrin e Jashtëm Nikos Kotzias, për t’i kërkuar sqarime për negociatat e reja që po zhvillon me Tiranën, që ndryshojnë paktin e 9 viteve më parë.
Ish-ministrja e Jashtme greke, Dora Bakojanis, e cila firmosi në emër të qeverisë helene marrëveshjen e detit të vitit 2009, ka kërkuar një interpelancë me pasardhësin e saj, Nikos Kotzias. Reagimi i Bakojanis ka ardhur pas lajmeve në shtypin shqiptar se, qeveria e kryeministrit Aleksis Tsipras po zhvillon negociata të fshehta me Tiranën zyrtare për të ndryshuar kufijtë detarë. Në kërkesën e saj, Bakojanis ka argumentuar se qeveria aktuale greke duket e gatshme për të rishikuar marrëveshjen e 9 viteve më parë, e cila sipas saj, nga ekspertët shkencorë u cilësua e balancuar.
Gjithashtu, ka vijuar ish-ministrja qëndrimin e saj, marrëveshja u konsiderua shembullore përsa i përket parimit të “vijës së mesit”, për ndarjen e zonave detare me Shqipërinë. Bakojanis akuzon ekzekutivin aktual grek se po krijon një precedent të rrezikshëm, që mund të ndiqet edhe nga vende të tjera, të cilat mund të kërkojnë ndryshim kufijsh. “Qeveria po trajton me papërgjegjshmëri një çështje të rëndësishme kombëtare, pa u konsultuar me forcat politike të vendit”, ka deklaruar Bakojanis, e cila ka kujtuar se pakti i 2009-s u nënshkrua pas konsultimeve 2-vjeçare. Konkretisht janë 3 pyetjet që ish-shefja e diplomacisë helene i drejton Kotzias në kërkesën për interpelancë:
1. Pse qeveria po procedon me rishikimin e marrëveshjes së Detit të vitit 2009, e cila u pranua dhe u nënshkrua nga Greqia dhe Shqipëria?
2. Cilat pjesë të marrëveshjes po rishikohen?
3. Është e vërtetë se qeveria ka ndërmend të ndryshojë pozicionin grek për caktimin e kufijve të zonës detare nën “vijën e mesit”?/abcnews.al