Qyteti i Fierit është i dyti për nga numri i të infektuarve me koronavirus në Shqipëri, pas Tiranës.
Gjatë paradites së sotme, Ministria e Shëndetësisë raportoi se një 66-vjeçar kishte humbur jetën nga Covid-19.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, ai vuante nga disa sëmundje shoqëruese, si sëmundje kronike pulmonare, hipertension, hemorragji gastro-intestinale.
Infarkti ka qenë fatal për 66-vjeçarin mëngjesin e sotëm.
Për sa i përket këtij rasti të humbjes së jetës nga Covid -19, ABC News ka mësuar se bëhet fjalë për një 66-vjeçar nga Fieri.
Ai është G. M nga fshati Mbërs i Roskovecit.
Por si u infektua 66-vjeçari nga koronavirusi?
Mësohet se 66-vjeçari u infektua nga bashkëshortja e tij, e cila kishte udhëtuar në Itali, dhe ishte kthyer prej andej, në datën 6 mars me traget.
Burime për ABC News, bëjnë me dije se bashkëshortja e 66-vjeçarit, kishte qëndruar për 3 ditë e shtruar në spitalin e Fierit, pasi kishte shfaqur probleme shëndetësore.
Ajo nuk i ka treguar bluzave të bardha të Fierit, se kishte patur histori udhëtimi në Itali.
Pas kësaj ajo iu nënshtrua analizave për Covid -19 të cilat rezultuan pozitive.
Ky fakt bëri që i gjithë stafi i mjekëve dhe infermierëve, që i kishin shërbyer bashkëshortes së 66-vjeçarit, të vetëkarantinohej, dhe ti nënshtrohej analizave.
Për fat të mirë, stafi mjekësor rezultoi i painfektuar, dhe u rikthyen përsëri në punë. Por të njëjtin fat nuk e pati bashkëshorti i saj.
Çifti i bashkëshortëve tashmë kishte rezultuar pozitiv.
Për këtë, Bashkia e Rroskovecit me anë të një postimi në facebook, bëri thirrje të gjithë banorëve të fshatit Mbërs, të vetë- izolohen, duke qenë se kjo familje kishte pasur kontakte të ngushta me banorët e fshatit.
abcnews.al mësoi se çifti i infektuar kishin dy shtëpi, një në fshatin Mbërs, dhe një në Rroskovec.
Për pasojë ata kishin patur shumë lëvizje kohët e fundit, për më tepër çifti kishte marrë pjesë edhe në një ceremoni ngushëllimi.
Me sa duket gjendja e 66-vjeçarit është rënduar në vazhdim, duke bërë që përpara dy ditësh ai të transportohej me urgjencë drejt spitalit Infektiv në Tiranë.
Ditën e sotme 66-vjeçari humbi betejën ndaj koronavirusit, edhe për shkak të shumë sëmundjeve shoqëruese që kishte patur më herët, ndërsa bashkëshortja ndodhet në gjendje më të stabilizuar.
Numri zyrtar i të infektuarve nga koronavirusi në Shqipëri ka shkuar në 186 raste, ku gjatë 24 orëve të fundit rezultuan pozitiv 12 raste./abcnews.al