Parlamenti grek miratoi vendimin për të nxjerrë para një komiteti parlamentar hetimor 10 politikanë të përfshirë në skandalin “Novartis”. Mes tyre është ish-kryeministri grek, Samaras dhe guvernatori aktual i bankës greke, Sturnaras.
Pas një seance maratonë që zgjati të paktën 20 orë, parlamenti grek vendosi mëngjesin e të enjtes që 10 politikanë të përfshirë në skandalin “Novartis” të hetohen nga një komitet parlamentar i veçantë. Debatet në sallën e parlamentit ishin të ashpra me personat e akuzuar që fajësonin qeverinë se po kryente një gjueti politike shtrigash dhe se po sulmoheshin vetëm për arsye politike. Votimi ishte i fshehtë dhe miratonte vendimin për hetime të mëtejshme për të gjithë ata që janë përmendur si pjesë e skandalit të firmës farmaceutike.
Dhjetë personat do të paraqiten para një komisioni hetimor. Ndër politikanët nën hetim është dhe komisioneri europian për emigracionin, Dimitris Avramopoulos, lideri i PASOK, Evangelos Venizelos, Adonis Georgiadis i Demokracisë së re, Koutroumanis i PASOK, Andreas Loverdos i PASOK, Andreas Lykourentzos i Demokracisë së Re, ish-ministri Pikrammenos, Marios Salmas i Demokracisë së Re, ish-kryeministri Antonis Samaras, dhe ish-ministri i Financave aktualisht guvernator i bankës së Greqisë, Jannis Stournaras.
Në ditët në vijm, parlamenti do të vendosë për 21 anëtarët e komitetit parlamentar, që do të ketë një muaj kohë për të përfunduar hetimet, dhe pse mediat greke shkruajnë se do të kërkohet një zgjatje e afatit. SYRIZA, partia e kryeministrit Tsipras do të përfaqësohet nga 10 deputetë, Demokracia e Re nga pesë dhe partitë e tjera me nga një./abcnews.al