Ivan Cordoba është aktivizuar 12 sezone me Interin dhe mbetet një tifoz i zjarrtë i skuadrës zikaltër. Kolumbiani ishte një qendërmbrojtës i fortë, me grintë dhe gjithmonë gati për të fituar. Pak a shumë sikur është Antonio Conte në stol.
43-vjeçari tregohet i sinqertë në një rrëfim për Gazzetta Dello Sport, duke pranuar se në fillim nuk ishte entuziast për ardhjen e Contes tek Interi. E kaluara si juventin kishte ndikim të madh te populli interist, por trajneri i ka bindur të gjithë.
“Sezonin e Interit e gjykoj të mirë. Detyra për t’u afruar me kreun nuk ka qenë e lehtë, por skuadra po ia del. Do të thotë që të gjithë janë të bindur për objektivat që duhen arritur. Duhet kohë, por mentaliteti është i duhuri. Conte? Përpara se të bëhej zyrtarisht trajneri i Interit, ndaja të njëjtin mendim me tifozët.
Ishte diçka e vështirë për t’u pranuar, është njësoj sikur një lojtar simbol i Interit të shkojë te Juventusi. Puna, rezultatet, menaxhimi i skuadrës dhe mbrojtja e ngjyrave zikaltër, po shtojnë besimin që nuk ekzistonte. Ai është një trajner shumë i fortë, e ka treguar edhe më parë. Ne donim një trajner të tillë dhe me mentalitet fituesi”, përfundon ish-mbrojtësi kolumbian. /abcnews.al