Rruga Korçë- Pogradec, pa sinjalistikë dhe e dëmtuar

schedule11:49 - 22 Shkurt, 2018

schedule 11:49 - 22 Shkurt, 2018

Është një nga rrugët kryesore të vendit, por që nuk plotëson standardet e një rruge bashkëkohore. Mungesa e sinjalistikës dhe dëmtimi e ka kthyer këtë segment të rrezikshëm.

Udhëtimi në këtë rrugë është i pasigurtë. Ajo lidh Korçën me Pogradecin, por s’ka standarde. Jo në pak raste, përdoruesit e rrugës përfshihen në aksidente me pasoja fatale.

Shtyllat e tensionit të mesëm, të pozicionuara afër bordurave, e bëjnë të pashmangshme përplasjen me to, në rastet kur mjetet humbin kontrollin.

Ndërkohë mbi 50 ndërprerje dhe dalje nga rrugët dytësore, në rrugën nacionale, vijojnë të mbeten burimi kryesor i aksidenteve,kryesisht të mjeteve bujqësore.

Në mungesë të mbi ose nënkalimeve, mjetet e fermerëve, por edhe këmbësorët,detyrohen të kalojnë përmes rrugës, që perballon në çdo orë të ditës ,një fluks të lartë lëvizjeje.

Bilanci i jetëve të humbura si pasojë e mungesës së standardeve të sigurisë, është dramatik, por ata që jetojnë në zonën përgjatë rrugës Korçë- Pogradec, nuk kanë zgjidhje tjetër, veçse të rrezikojnë në përditshmëri.

Fermerët, që improvizojnë tregje të vegjël në anë të rrugës nacionale, pavarësisht rrezikut seroiz që paraqet bllokimi i aksit, nuk binden që të zhvendosen prej aty.

Dëmtimi i bordurave anësore nga fermerët, si e vetmja mundësi për të hyre në tokat e tyre, është një tjetër problematikë, që cënon sigurinë rrugore.

Sinjalistika vertikale, e cila vidhet në mënyrë të vazhdueshme nga banorët e zonës, është zëvendësuar nga Autoriteti Rrugor, por kjo ka ndikuar pak në reduktimin e ngjarjeve aksidentale. /abcnews.al