Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, zhvilloi sot një komunikim për shtyp në lidhje me vendimin e Këshillit Evropian për çeljen e negociatave për Shqipërinë.
Gjatë fjalës së tij, Cakaj ka dhënë lajmin e mirë se Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme të Bashkimit Evropian, përfundimisht ka vendosur fillimin e bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë.
Duke e konsideruar këtë vendim si një arritje të madhe të Shqipërisë, por edhe një lajm me peshë të veçantë politike për Ballkanin Perëndimor, Cakaj nënvizoi se vendimi i ditës së sotme vjen pas tre raporteve të njëpasnjëshme të Komisionit Evropian, që kanë dëshmuar rezultatet e mëdha në reformat e pashembullta të Shqipërisë dhe miratimit të metodologjisë së re të negociimit, si kërkesë e veçantë e disa vendeve anëtare të BE-së.
“Pas disa shtyrjeve të vendimeve për t’i nisur bisedimet për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut sipas meritave të tyre, vendimi i sotëm dëshmon edhe njëherë se axhenda e zgjerimit është funksionale dhe se prania e Bashkimit Evropian në rajon po bëhet gjithnjë e më e fuqishme. Rezultati i sotëm është kurorëzim i arritjeve të shumta të Shqipërisë dhe në të njejtën kohë hapje e kapitujve të detyrave të reja për të gjithë ne.”- theksoi Kryediplomati në fjalën e tij.
Sa i përket zhvillimit të Konferencës së Parë Ndërqeveritare, Cakaj bëri me dije se në përputhje me qëndrimin zyrtar të Bundestagut gjerman, mbajtja e Konferencës së Parë Ndërqeveritare është kushtëzuar me mbylljen e reformës zgjedhore, funksionalizimin e Gjykatës Kushtetuese, vazhdimin e plotësimit të vakancave të tjera në gjyqësor dhe përfundimin e procesit të themelimit të strukturave të posacme për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Për më tepër, Cakaj shprehu angazhimin për të plotësuar me efiçencë të plotë këto kushte, pavarësisht se këto detyra, sipas Kryediplomatit, nuk vënë aspak në pikëpyetje as faktin e hapjes së bisedimeve, as nuk ngarkojnë përmbajtjen e vendimit të sotëm për Shqipërinë.
Në përfundim të fjalës, Ministri në detyrë Cakaj shprehu mirënjohjen për të gjithë Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian për vendimin e sotëm, po ashtu edhe për të gjithë bashkëpunimin e mbështetjen e pakursyer që i kanë dhënë Shqipërisë, gjatë gjithë kësaj periudhe. /abcnews.al