Më të mirët, batuta epike dhe shumë sekrete: Të pathënat e Dritan Shakohoxhës

schedule18:18 - 23 Mars, 2020

schedule 18:18 - 23 Mars, 2020

“Portier më fusnin kur isha i vogël, paramendoj sa dija të luaja”. Një përgjigje e sinqertë e Dritan Shakohoxhës, komentatorit dhe gazetarit të njohur të Supersport, kur pyetet se sa dinte të luante futboll kur ishte fëmijë. Gjithsesi kjo nuk do të thotë që nuk mund të merresh me sport dhe “Shako”, siç të gjithë e thërrasin, e ka me shumë pasion komentimin.

Në këto ditë ku shqiptarët janë izoluar, ai ka zgjedhur të vihet në pozicionin e të intervistuarit dhe pyetjet i bëjnë fansat e tij në “Instagram”. Të shumta pyetjet dhe tematikat, duke nisur nga kjo situata e vështirë që po kalon vendi ynë dhe e gjithë bota. Shqipëria sapo kishte kaluar një tjetër moment të sikletshëm, në dhjetor.

Kë ka më shumë frikë Shako, tërmetin apo Coronavirusin. Përgjigja është kjo: “Të dyja, por këtë nuk e shohim dhe e kemi përballë. Kurse atë (tërmetin) e harrojmë dhe na befason”. Fansat kanë vijuar me pyetjet dhe një prej tyre ishte për trajnerin më të mirë të Shqipërisë.“Panuçi (qesh). Pa dyshim De Biassi”, shprehet komentatori, i cili vlerëson edhe trajnerin Edoardo Reja si ndër më të mirët që Shqipëria ka pasur në gjithë historinë.

 

Edhe pse një dinamovit në të shkuarën, Shako nuk është se mbështet ndonjë skuadër shqiptare. Kur pyetet për këtë, përgjigja e tij vjen përmes një fotoje: Shqipëria dhe Kosova, kombëtarja kuqezi dhe përfaqësuesja dardane. Ai ngacmohet për ndeshjet më emocionuese dhe më pak, që ka përjetuar.  Memoria është e lidhur me emocionet, pa emocion nuk ka memorie. Shqipëri-Rumani dhe Armeni-Shqipëri janë dy ndeshjet më emocionuese”.

Më tej Shakohoxha flet edhe për Kosovën, që sipas tij do të kualifikohet në EURO 2021. Vedat Muriqi në qendër të vëmendjes gjithashtu. Sulmuesi po shkëlqen me Fenerbahce në Turqi dhe në janar në media është folur për shumë oferta nga klube angleze dhe jo vetëm. A do jetë ai një dështim si Andy Carrol? Dritani mendon ndryshe: “Është një super sulmues, gati për një ‘top’ skuadër në Angli, Itali apo Spanjë”

 

Superiorja nuk lihet mënjanë dhe ai përsërit një nga refrenet e zakonshme: “Derbi është gjëja më e bukur e kampionatit”. Tirana mund të rikthehet te titulli, që vitet e fundit ishte e pamundur të fitohej prej dominimit të Skënderbeut. Një fans e ngacmon, duke i thënë se pse e kanë aq inat ekipin e tyre. Me siguri do jetë korçar dhe përgjigja që mori ishte: “Pse, turk jam unë që ta kem inat heroin tonë kombëtar”. Mes shumë pyetjeve ishte edhe një për trajnerët më të suksesshëm dhe Shako thotë dy emra: “Në sport rezultatet janë njësia më e mirë matëse. Ilir Daja, Mirel Josa dhe tjetrin gjejeni ju”.

FUTBOLLI I HUAJ – Një nga kuriozitet më të mëdha në lidhje me Shakohoxhën lidhet me skuadrën që ai mbështet. “Nuk jam me asnjë skuadër në veçanti, as me Interin. Mund të jem edhe me Monzan”, thotë ai, ndërkohë që fansat mbeten në Serie A. “Inter apo Milan? Janë dy super klube, por pa njëra-tjetrën nuk do ishin me kaq shumë histori. Juventusi? Është skuadër për të fituar çdo gjë. Nuk është pa rival si vitet e shkuara, por prapë janë të parët”.

 

Fjalë të mira edhe për Liverpool e Paolo Maldini. “The Reds” i cilëson skuadër fantastike, kurse legjendën e Milanit si mbrojtësin e majtë më të mirë të të gjitha kohërave. Tema tjetër lidhej me dy ndeshje të shumëpritura: “Madonnina apo el Clasico? Janë të dyja supersfida. Varet nga momentet, dikur njëra e dikur tjetra. Real apo Barcelona? El Clasico”.

Në fund ka vend edhe për një temë të nxehtë, Messi apo Ronaldo. “Më i miri? Nuk kam një emër, por dy: Messi dhe Ronaldo. Derisa të luajë Ronaldo e Messi, janë vetëm ata më të mirët dhe nuk ka të tjerë. Shumë njerëz e pëlqenin ndër vite futbollin, me Messin filluan ta dashuronin. Messi është më i miri i planetit, Ronaldo më i miri i botës. Shumë fat që i kemi parë të luajnë në të njëjtën kohë”, përfundon Shako. /abcnews.al