Vllaznia, Jonuz flet nga “karantina”: Do jetë kampionat i vështirë

schedule14:37 - 20 Mars, 2020

schedule 14:37 - 20 Mars, 2020

Vllaznia është shpërndarë. Lojtarët po qëndrojnë në shtëpitë e tyre, në pritje për të mësuar se kur do të rikthehet kampionat. Trajneri Mirsad Jonuz ndodhet në Maqedoninë e Veriut dhe u bën thirrje shkodranëve dhe shqiptarëve të ndjekin udhëzimet e autoriteteve.

“Në radhë të parë dua të uroj futbollistët e mi dhe gjithë shkodranët për ta përballuar me sukses këtë situatë të krijuar së fundmi nga COVID-19. Do t’u kërkoja atyre të kenë kujdes për veten dhe njerëzit e tyre, të rrinë në shtëpi dhe të respektojnë atë çfarë thonë doktorët. Unë për vete jam duke qëndruar këtu në shtëpi, bashkë me pjesëtarët e tjerë të familjes, duke respektuar rregullat e karantinës”, shprehet Jonuz për faqen zyrtare të klubit shkodran.

Kjo periudhë normalisht ka ndikimin e vet te skuadra shkodrane dhe në çdo ekip futbolli. “Në fakt është një situatë aspak e favorshme dhe që ka ndikimin e vet tek të gjitha skuadrat, normalisht edhe tek Vllaznia. Unë i kam udhëzuar futbollistët në Shkodër të mundohen të bëjnë maksimumin në kushtet që kanë, për të ruajtur deri diku formën.

Ndërkohë, këto lojtarët maqedonas këtu, po stërviten rregullisht çdo ditë sepse këtu masat nuk janë shumë shtrënguese dhe ata dalin jashtë për të bërë vrapime dhe përgjithësisht kanë një formë të mirë. Shpresoj që edhe ata në Shkodër të jenë në të njëjtin kondicion”, shton Jonuz.

“Shpresoj që situata të normalizohet brenda një muaji dhe nga data 15- 20 prill ne t’i rikthehemi normalitetit në stërvitje. Do të jetë pak e vështirë për të kapur ritmin, sepse për një periudhë afër njëmujore do të na duhet të zhvillojmë 10 ndeshje. Gjithsesi besoj se do ia dalim. E rëndësishme është që kjo situatë të normalizohet sa më shpejt, të tjerat do i rregullojmë”, përfundon trajneri i Vllaznisë. /abcnews.al