Liga e Kampionëve ka edhe një përballje tjetër që pritet e fortë. Bajerni ndeshet me Beshiktashin turk dhe cilësohet favorit për të kaluar në çerekfinale.
Është dimër në Mynih dhe Championsi pritet me dëborë.
Bajerni, gjithsesi, është i mësuar kështu, dhe nuk shpërqëndrohet aspak nga synimi kryesor që ka, suksesi në ndeshjen e radhës ndaj Beshiktashit, dhe hedhja e hapit të sigurt drejt çerekfinaleve.
Besimin e gjermanëve e shton fakti se ata nuk do të kenë asnjë mungesë në përballjen e sotme në orën 20:45 në “Alianz Arena”, me përjashtim të atij që portierit Manuel Nojer, të lënduar prej shumë muajsh.
Po ashtu, bavarezët ndihen optimistë nën drejtimin e trajnerit Jup Hajnkes, pasi i kanë fituar të katër ndeshjet në këtë konkurrim, me 72-vjeçarin në stol.
Bajerni doli i dyti në grup, ndërsa Beshiktashi i pari, por vendasit janë padyshim favoritë.
Gjithsesi, Hajnkes është aq i zgjuar dhe me aq përvojë, sa të mos i vendosë nën presion lojtarët e tij.
“Nuk është e lehtë të bësh parashikim se kush mund ta fitojë Championsin, – tha ai, – ka shumë skuadra të mëdha në garë, me një traditë të gjatë. Janë 5 ekipe të forta angleze, disa prej të cilave investuan shumë verën e kaluar dhe në dimër. Reali i Madridit, Barcelona dhe Paris SG janë favoritët, por natyrisht edhe ne duam të vazhdojmë traditën”.
Po nga Beshiktashi çfarë pritet?
Kurrë nuk ka qenë e lehtë për turqit t’ia dalin në Europë, ku vetëm Gallatasaraji ka fituar një Kupë UEFA dhe një Superkupë.
Sidoqoftë, formacioni i trajnerit Senol Gynesh, u bë i pari ekip turk që fiton grupin në Champions, ndaj Lajpcigut, Portos e Monakos.
Po ashtu, ka lojtarë me përvojë si portugezët kampionë të kontinentit, Pepe e Kuarezma, kilenin Gari Medel, spanjollin Avaro Negredo, holandezin Rajan Babel dhe shënuesin më të mirë të Superligës turke vjet, brazilianin Vagner Lov.
“Deri më tani, ne e kemi cilësuar veten si favorite në këtë kompeticion, – vërejti trajneri i turqve, – tashmë, për herë të parë ne nuk jemi të tillë. Favorit quhet Bajerni, i cili në letër është shumë më i fortë sesa ne, por gjithsesi, ne do të luajmë futbollin tonë. Pres një ndeshje shumë të ashpër, dhe duhet të jemi shumë të zgjuar për të arritur rezultatin që duam, dhe që të kemi shanse në ndeshjen e kthimit”.
Beshiktashi u prit në Mynih sikur të ishte në Stamboll, për shkak të komunitetit të madh turk në Gjermani.
Problem për miqtë do të jetë, sidoqoftë, mungesa e katër lojtarëve, Kavlak, Atinç, Gëkhan Tëre dhe Toshiç.
Ndeshja e kthimit luhet në 14 Mars në Stamboll./abcnews.al