Anila Denaj nuk do të jetë në krye të punëve shtetërore për të menaxhuar pasojat financiare që Covid 19 po shkakton në vendin tonë.
Për herë të dytë brenda pak muajve, kryeministri Rama nuk i beson sfida të mëdha Ministres së tij të Financave, duke ja transferuar përgjegjësitë kryesore tek Arben Ahmetaj.
Do të jetë pikërisht Ministri i Rindërtimit ai që do të drejtojë të gjithë paketën financiare të ndihmesës së bizneseve dhe individëve të dëmtuar nga koronavirusi.
Kjo është hera e dytë që kryeministri lë pas dere Anila Denajn. Hera e parë ishte pas tërmetit katastrofik, kur Rama rikthehu në qeveri Arben Ahmetajn duke krijuar një ministri të posaçme për të, për të menaxhuar fondet e rindërtimit.
Tashmë barra e Ahmetajt zgjerohet edhe me përballimin e pasojave të virusit. Në vendin e qeverisë, thuhet se Ahmetaj duhet të hartojë planin e përballimit, do të evidentojë burimet njerëzore dhe financiare brenda e jashtë vendit për të përballuar këto dëme,.
Ahmetaj me stafin e tij do të prezantojë dëmet në ekonomi të shkaktuar nga infeksioni COVID-19 dhe do të detajojë nevojat për përballimin e situatës, shoqëruar me ndërhyrjet ligjore të nevojshme./abcnews.al

