Futbollistët fitojnë shumë dhe bëjnë një jetë përrallore. Një ndër temat që po duskutohet në këto kohë të vështira është edhe shkurtimi dhe ulja e pagave të tyre stratosferike. Bota po pret të fitojë luftën me koronavirusin dhe më pas do të hartohet një plan i ri ekonomik.
Humbjet financiare janë dhe do të jenë të mëdha. Presidenti i shoqatës së futbollistëve në Itali, Damiano Tommasi ka folur rreth kësaj çështje në një prononcim për Ansa, pasi kreu i FIGC, Gabriele Gravina, theksoi se diçka e tillë nuk është tabu.
“Humbja e të ardhurave, shtyrja e kompeticioneve, pezullimi i ndeshjeve, kontributet e qeverisë, ndihma federale dhe mbështetja nga institucionet ndërkombëtare. Të gjithë këta elemente do të na tregojnë se cili do të jetë roli i lojtarëve.
Tema e qëndrueshmërisë së sistemit të futbollit gjatë dhe pas kësaj krize globale është një temë me interes ekstrem për të gjithë aktorët e futbollit, përfshirë edhe futbollistët. Të gjithë jemi të interesuar që të ruhet ekuilibri ekonomik, për këtë shkak duhet të vlerësojmë të gjithë elementet e momentit”, deklaron Tommasi. /abcnews.al