Trajneri i Realit, Zinedin Zidan, është shumë i lumtur nga loja e skuadrës së tij, pavarësisht nga golat e shumtë të pësuar në ndeshjen e fundit të kampionatit. Zidan foli edhe për dëmtimet e disa lojtarëve kryesorë.
Spanja është vend i futbollit dhe i kënaqësisë.
Tifozët e njërit prej dy kampionateve më të fortë të botës, janë të lumtur që, përveç turizmit, kuzhinës dhe kafeneve të famshme, kanë edhe skuadrat e La Ligës.
Jo vetëm sepse për Realin apo Barcelonën luajnë yjet më të mëdhenj të botës, por sidomos sepse kultura e futbollit spanjoll e ka theksin fuqimisht tek spektakli.
Nëse duhej një provë ja përballja e javës në stadiumin “Sançez Pizhuan” të Seviljes, ku Betisi dhe Reali dhanë një shfaqje të vërtetë.
Përfundoi 5-3 për madrilenët, që vazhduan momentin pozitiv të treguar në takime të tjera të kampionatit, dhe në Champions ndaj Paris SG.
Mentalitetin e tregoi qartë edhe përgjigja e trajnerit Zidan, kur u kritikua paksa që ekipi i tij pësoi 3 gola.
Zidan: “Po, por i tillë është futbolli. Mendoj se është e vërtetë që ndeshja ishte me përmbysje, një ndeshje paksa e çmendur, por mua më shijon kështu. Më pëlqen sepse tregon se ne luajtëm futboll, ashtu siç bëri edhe Betisi, një rival i fortë në një moment fantastik. Më erdhi mirë për dy lojtarët tanë që janë aktivizuar pak, Lukas Vaskez dhe Marko Asensio, pasi punuan shumë mirë, ndërsa Marko shënoi dy gola”.
Përveç dy golave të Asensios, ishin edhe rrjetat e Ramosit, Ronaldos dhe Benzemasë.
Mediat spanjolle theksojnë se Asensio e meriton të luajë më shumë sesa Bejl apo Benzema, madje ka kritika për Zidanin, pasi besohet se ai e aktivizon më pak sesa duhet.
Gjithsesi, problemi më i madh për trajnerin nuk është as aktivizimi i Asensios apo i Lukas Vaskezit, as fakti se ekipi I tij pësoi shumë gola ndaj Betisit.
Pas dëmtimit të Toni Krosit, ndodhi edhe një tjetër, ai i Marselos.
Zidan: “Jemi paksa të shqetësuar për dëmtimet, por kështu ndodh. Mërzitemi, por pastaj na kalon, pasi jemi mësuar. Shpresojmë që dëmtimi i Marselos të mos jetë I rëndë, dhe të kthehet shpejt. Do ta ndjekim ditë pas dite. Gjithsesi, jam i kënaqur me ekipin që kemi, jam i kënaqur që Kristiano është në formë shumë të mirë dhe do të jetë shumë i rëndësishëm në të gjitha ndeshjet deri në fund të sezonit”.
Reali nuk ka praktikisht asnjë pretendim për titull duke qenë 17 pikë larg Barcelonës kryesuese, por ka shpresa të fitojë sërish Championsin.
Nëse ia del, do të ishte hera e tretë radhazi, një rekord i ri./abcnews.al