Partizani-Kukësi është sfida kryesore e Superligës për këtë javë. Në “Selman Stërmasi”, sot në orën 18:00 luhet për një vend në kupat e Europës
Punë dhe heshtje.
Askush nuk ka dëshirë të hapë gojën tek Partizani, ndërsa sonte luhet sfida tepër e fortë dhe e vështirë e Superligës ndaj Kukësit.
Fakti që ndeshja zhvillohet në “Selman Stërmasi” nuk i gëzon edhe aq kryeqytetasit, të cilët do të kenë mungesa të rëndësishme.
Përveç trajnerit Starova që është i pezulluar, të dënuar nga Disiplina janë edhe kapiteni Batha dhe mesfushori i rëndësishëm e golshënues, Trashi.
Jo vetëm kaq, por i pezulluar për kartona është Progni, ndërsa të dëmtuar janë Telushi e Kalari, që pritet të jenë gati vetëm për Skënderbeun.
Partizani foli vetëm me gojën e drejtorit sportiv, Olsi Rama, që sulmoi Federatën pas dënimit të dy lojtarëve.
As Kukësi nuk mund të quhet plotësisht i qetë.
Trajneri Peter Pakult nuk është i sigurt se çfarë rezultati do të marrë sonte në orën 18:00.
Partizani vërtet ka probleme, por edhe Kukësi nuk është se ka shkëlqyer, ndërsa është mundur në ndeshjen direkte luajtur fazën e kaluar në “Zeqir Ymeri”.
Gjithsesi, pas ndeshjes në Kupë me Tiranën, ka më shumë optimizëm.
Kukësi mban aktualisht vendin e 4-ët në renditjen e Superligës me 29 pikë, ndërsa Partizani është i gjashti me 28./abcnews.al