Coronavirusi ka zbarkuar edhe në Afrikë, teksa në Ganë janë ndaluar edhe ndeshjet e futbollit. Asempa FM, radio ganeze, i ka marrë një prononcim mesfushorit të Tiranës, Winful Cobbinah. Ky i fundit u kërkon bashkatdhetarëve të vete të mos bëjnë shaka me COVID-19.
“Mendoj se njerëzit në Gana bëjnë shaka me çështje shumë serioze. Kjo e Coronavirusit nuk është një shaka. Kam parë disa video dhe kam lexuar në rrjetet sociale se si njerëzit hedhin lajme false dhe bëjnë shaka.
Nisi edhe në Shqipëri, fillimisht me 8 raste dhe tani janë më shumë se 12 (51 zyrtarisht) dhe është një virus shumë serioz dhe në Gana nuk duhet bërë shaka me të. Duhet të merren masa për ta luftuar përpara se të arrijë tek ata”, shprehet lojtari i bardhebluve, i cili është pyetur edhe për situatën e tij në Shqipëri.
“Nëse më duhet diçka, më duhet vetëm të telefonoj drejtuesit e klubit ose ekipin e mjekëve dhe ata na e sigurojnë. Tani për tani jam me të vërtetë i sigurt dhe po lutemi që të mbarojë sa më shpejt kjo, pasi askush nuk po del jashtë. Të gjithë po qëndrojmë në dhoma, duke ngrënë e duke fjetur”, tregon Cobbinah. /abcnews.al