Atletika shqiptare e nis me medalje vitin 2018. Luiza Gega dhe Izmir Smajlaj u shpallën kampionë Ballkani dhe premtuan suksese të tjera.
Të paktën i kemi dy atletër për krenari.
Edhe pse “mbretëresha e sporteve” nuk është në Shqipëri ashtu siç ka qenë dikur, sërish Luiza Gega dhe Izmir Smajlaj mjaftojnë për të fituar medalje ndërkombëtare.
Dy medalje të arta u fituan prej tyre në Kampionatin Ballkanik në Salla të Mbyllura që po zhvillohet në Stamboll.
Luiza Gega nuk fali në garën e saj të preferuar, atë të 3 000 metrave duke u shpallur kampione e Ballkanit, e duke i shtuar edhe një tjetër sukses karrierës së saj të shkëlqyer.
Ajo dha rezultatin 9 minuta e 67 të qindat, duke e lënë konkurrenten më të afërt plot 16 sekonda prapa.
Atletja 29-vjeçare la prapa atleten e Qipros, Valeria Zhandarova, dhe bullgaren Diliana Minkina.
Në garë mori pjesë edhe atletja e Kosovës, Luljeta Shala, e cila nuk arriti dot në zonën e medaljeve.
Izmir Smajlaj, ndërkaq shkëlqeu në kërcim së gjati duke konfirmuar titullin europian për salla të mbyllura që arriti në Beograd.
Ai kërceu 7 metra e 80 centimetra në “Atakoi Atletiks Arena” të Stambollit, rezultat që mjaftoi për të fituar vendin e parë dhe medaljen e artë.
Synimi i radhës për shkodranin 24-vjeçar është titulli europian në stadium të hapur, dhe ai premton që ta realizojë./abcnews.al