Akti Normativ, Rama gjen “shpëtim” te spitalet private për emergjencën e COVID-19

schedule21:56 - 15 Mars, 2020

schedule 21:56 - 15 Mars, 2020

Qeveria miraton aktin normativ që parashikon gjoba të rënda ndaj subjekteve apo individëve të cilët nuk zbatojnë urdhrat e vendosura për përballimin e situatës të virusit COVID-19 në Shqipëri.

Në dispozicion të spitaleve shtetërore dhe të prekurve nga ky virus, është vendosur që tashmë të jenë edhe spitalet private dhe qendrat shëndetësore, e në rastet kur ky vendim nuk zbatohet, do të aplikohet gjobë.

“Moszbatimi i këtij urdhri dënohet me gjobë në masën 5 milionë lekë dhe në rast përsëritjeje vendoset bllokimi i aktivitetit, duke e vendosur strukturën në dispozicion të shërbimit publik shëndetësor gjatë gjithë kohëzgjatjes së infeksionit COVID-19. Në këtë rast, personeli përkatës, shëndetësor e mbështetës është i detyruar të shërbejë nën drejtimin e strukturave shëndetësore shtetërore”.

“Moszbatimi i këtij detyrimi nga personeli përkatës, shëndetësor e mbështetës, dënohet me gjobë në masën 100 mijë lekë dhe në rast përsëritje iu shtohet edhe heqja e të drejtës së ushtrimit të profesionit për një periudhë dhjetëvjeçare”.

Deri në 500 mijë lekë gjobë do të vendoset edhe ndaj familjarëve të pacientëve të cilët hyjnë në ambientet e urgjencës mjekësore ku janë duke marrë shërbimin mjekësor të afërmit e tyre, si dhe personi përgjegjës që i lejon ata të hyjnë në këto ambiente.

Me gjobë deri në 5 milionë lekë do të aplikohet edhe ndaj atyre subjekteve që eksportojnë barna dhe pajisje mjekësore nga Shqipëria pa autorizim të posaçëm, si dhe iu sekuestrohet e gjithë sasia e barnave apo pajisjeve mjekësore. Në rast se kjo shkelje përsëritet, subjektit i ndalohet eksporti i mallrave deri në 6 muaj.

Akti normativ i hyrë menjëherë në fuqi parashikon gjobë në 5 milionë lekë për tregtuesit me shumicë që rrisin çmimin e shitjes të gjitha mallrave dhe produkteve ushqimore, barnave, pajisjeve mjekësore dhe shërbimeve, si dhe 100 mijë lekë gjobë për tregtuesit me pakicë. E në rast përsëritjeje iu shtohet edhe mbyllja e veprimtarisë për një periudhë 6 mujore.

Dënohen me gjobë në masën 5 milionë lekë organizatorët e aktiviteteve publike dhe jopublike, si ato: sportive, kulturore, konferenca, apo grumbullimet masive në vende të mbyllura e të hapura, si koncerte, tubime dhe dëgjesa publike.

Gjoba deri në 1 milionë lekë do të aplikohet edhe për ato palestra apo pishina që nuk kanë pezulluar aktivitetin e tyre, si dhe për poliklinikat apo spitalet ku zhvillohen vizita që nuk marrin masat për të mos lejuar grumbullimin e pacientëve.

Po ashtu, në aktin normativ është vendosur që çdo shërbim postar që nuk merr masat e të kufizojë kontaktet e punonjësve me publikun e që nuk shmang grumbullimin në sportele, do të gjobitet deri në 1 milionë lekë.

Çdo person që hyn në territorin Shqiptar dhe nuk deklaron ardhjen nga zonat e prekura nga virusi COVID-19, si dhe ata persona që nuk vetëkarantinohen do të gjobiten deri në 700 mijë lekë gjobë. Ndërsa të gjithë ata drejtues mjetesh që nuk zbatojnë urdhrin për të mos qarkulluar me mjetet e tyre private pa pasur autorizimin përkatës, do tu hiqet leja e drejtimit deri në 3 vite si dhe do i bllokohet mjeti./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!