Mjeku në karantinë i përgjigjet Manastirliut: Lëre politikën, bëhu nënë, bashkëshorte dhe motër për një moment

schedule20:00 - 11 Mars, 2020

schedule 20:00 - 11 Mars, 2020

Mjeku Ilir Allkja i është përgjigjur ministres Ogerta Manastirliu, e cila hodhi poshtë pretendimetet e mjekut.

Allkja përmes një video në rrjetet sociale bëri me dije se është vetëkarantinuar, pasi ka vizituar pacientë me koronavius pa veshjen speciale.

Në një tjetër reagim, mjeku i drejtohet ministres duke u shprehur se për ansjë moment nuk ka thënë se në spital nuk ka veshje speciale, por ky i fundit nuk është njoftuar nga urgjenca se do të vizitonte pacientë të prekur me koronavirus.

Reagimi i mjekut:

Kur e ke mendjen të bësh politikë dhe jo të dëgjosh zërin dhe apelin e sinqertë të një profesionisti në izolim për shkak të detyrës, si dhe thirrjet e arsyeshme për të marrë masat e nevojshme, sdi cfarë flet dhe nuk ke turp as të gënjesh publikisht apo të deformosh qëndrimet e profesionistëve për politikë!

Znj. Ministre!

Dëgjoje edhe njëherë shqetësimin dhe apelin tim, dhe të lutëm thirr një specialist që të ta shpjegojë atë që kam thënë.

Në asnjë rast nuk kam thënë që Shërbimi i Urgjencës nuk ka veshje special, por kam thënë që ato veshje përdoren vetëm për raste që paraprakisht raportohen nga Zyra e Koordinimit të Urgjencës si të dyshuara me coronavirues.

Rasti për të cilin jam detyruar të vetëizolohem, më është raportuar nga Zyra e Koordinimit të Urgjencës pa shenja të ngjashme me atë të coronavrusit, prandaj dhe nuk jemi pajisur me veshjen special për të kryer vizitën në atë rast! Pas kontrollit, personi ka patur shenja të ngjashme me ato të coronaviruesit dhe në këtë moment është person i dyshuar si i infektuar me coronavirus.

Për këtë arsye, apeli im ka qenë i thjeshtë dhe i qartë:

1- Zyra e Koordinimit të Urgjencës të marrë informacione më të detajuara dhe të sakta nga pacientët.

2- Nisur nga situata, për çdo vizitë, pavarësisht nga simptomat që raporton pacienti apo problem shëndetësor që ai dyshon që ka, stafi mjekësor duhet të shkojë në çdo rast i pajisur me veshje speciale. Për këtë arsye, kërkohet një numër më i madh veshjes speciale. Besoj e di, që Shërbimi i Urgjencës nuk pajisjet me veshje speciale për çdo vizitë që kryen, sepse sasia e tyre nuk është e mjaftueshme!

Znj. Ministre,

Lere politikën për një moment, por bëhu nënë, bashkëshorte dhe motër vetëm për pak momente. Edhe ne mjekët kemi fëmijë, bashkëshorte dhe morta, për pasojë duam të jemi të sigurt.

Apeli i një mjeku për siguri sot, është edhe apeli i një prindi, bashkëshorti dhe familjari!

Mirënjohje pa fund për punën e çdo kolegu, që me vetmohim është në shërbim të çdo qytetari. Jemi në mision dhe do ta kryejmë ato në çdo kohë dhe pavarësisht vështirësive.

Sot ska nevojë për gënjeshtra! Ska nevojë për luftë të pasinqertë politike! Ka nevojë për njerëzillëk dhe përgjegjshmëri.

Faleminderit kujtdo që sot pavarësisht nga statusi shoqëror, është në mbështetje të mjekëve dhe i jep jehonë apelit të tyre të sinqertë. Ju na mbështesni, dhe ne do jemi në gjendje të jemi në shërbimin e çdo shqiptari, që sot ka më shumë se kurrë nevojë për ne!

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!