Sulejman Starova dhe Armando Duka janë vënë më në fund përballë, pas më shumë se 15 vitesh. Trajneri i njohur dhe presidenti i FSHF-së kanë biseduar me njëri-tjetrin në studion e Pressing, në ABC News.
STAROVA – “Presidenti tha shumë të vërteta. Çdo ekip e meriton atë pozicion ku është aktualisht në Superiore. Çdo sezon, e ka fituar titullin ekipi që e ka merituar, përveçse një rast. Kur isha unë trajner, atë vit nuk e mori ai që e meriton. Por nuk ka faj Duka, ishte mazhorancë atëherë”.
DUKA – “Unë nuk mund ta mohoj që arbitrat bëjnë gabime, edhe Starova mund të ketë bërë 1000 gabime në pankinë. Edhe Sula kur ka bërë gabime në pankinë, ka bërë edhe zgjedhje të mira. Ashtu sikur një futbollist bën gabime. Këto janë pjesë të lojës, nuk them që nuk ekzistojnë. Sot, për të njëjtën temë, kam fol me Bekim Halilajn, presidentin e Luftëtarit, që kishte pretendime. Nuk mund ta them që Federata ia ka hequr titullin Starovës. Nëse fitonte Partizani, mund të thoshte Kukësi të njëjtën gjë. Edhe Gjici më shkroi sot, më tha: Pse nuk na dhanë sot një penallti sade. Unë nuk e kam parë ndeshjen, për shkak të angazhimeve të tjera.
STAROVA – Unë mendoj se përveç kësaj që tha presidenti, duhet të kalojmë përtej kësaj. Presidenti nesër mund të marrë, sepse as presidentit nuk i vjen mirë kur thonë: “Shiko, la nom ai atje”. Duka mund të bëjë dhe këtë, të mbledhë Libohovën dhe t’i kërkojë llogari”.
DUKA – “Faktikisht, nuk është pa vëmendje ky sektor në Federatën Shqiptare të Futbollit (arbitrimi). Jemi një nga Federatat e vetme që paguajmë çdo shpenzim të arbitrimit. Sot nuk bëjnë kontribut as klubet. Kur gabon një futbollist, nuk e pezullon, thjesht nuk e aktivizon të dielën. Kështu është dhe me arbitrat. Arbitrat nuk mendoj, nuk e kam bindje, jo se dua t’i mbroj, por unë marr të njëjta përgjegjësi si për arbitrat, si për futbollistët, si për presidentët. Arbitrimi është në të njëjtat nivele me futbollin shqiptar.
STAROVA – “Siç punojmë ne pas ndeshjes me trajnerët që analizojmë skuadrën, besoj se duhen analizuar dhe arbitrat. Mos ka rënë puna? Unë kam informacion se ka ra puna. Para se të vije ti në studio, po flisnim se nuk ka shkuar arbitri me qëllim të gabojë, por ka gabuar për paaftësi. Në këto kushte, rritet përgjegjësi e atyre që drejtojnë”./abcnews.al