Federata Shqiptare e Futbollit shpreson të bindë qeverinë për të lejuar zhvillimin e dy ndeshjeve të sotme të Superligës, në orën 18:00. Propozimi është që Vllaznia-Partizani e Skënderbeu-Kukësi të luhen pa tifozë.
Urdhri është që të ndalohet gjithçka, por shpresa vdes e fundit. Federata Shqiptare e Futbollit shpreson që të bindë qeverinë për të lejuar që të zhvillohen të paktën dy ndeshjet e sotme të Superligës, përpara sesa aktiviteti të ndalojë për shkak të koronavirusit.
Burime në Federatë, por edhe pranë klubeve që kanë ndeshje sot, bëjnë me dijë për Abc News, se propozimi i bërë kryeministrit Rama është që të luhen pa tifozë ndeshjet Skënderbeu-Kukësi e Vllaznia-Partizani, diçka që e ka provuar Italia me sfidat e Serisë A.
Nuk dihet sesa i madh është rreziku, por gjithsesi nga qeveria është dhënë urdhri që të ndalen aktivitetet sportive, duke qenë se krijojnë grumbullim të madh të njerëzve. E tillë ishte ndeshja e djeshme e Superligës, Tirana-Laçi në “Arenën Air Albania”, ndërsa shumë më pak tifozë pati në Gjirokastër në Luftëtari-Bylis, apo në Durrës, në duelin Teuta-Flamurtari.
Me gjasë, ndeshjet e sotme në orën 18:00, në “Loro Boriçi” të Shkodrës dhe në stadiumin “Skënderbeu” të Korçës, mund të luhen pa spektatorë, e pastaj të ndërpriten të gjithë aktivitete e futbollit, si dhe aktivitetet e tjera sportive në Shqipëri, të paktën për 2 javë. /abcnews.al