Të paktën 10 persona kanë ndërruar jetë pasi një hotel në Kinë është shembur të shtunën mbrëma. Hoteli që u shemb shërbente si vend karantinimi për persona që kishin pasur kontakt me njerëz të sëmurë me koronavirus. Ngjarja ka ndodhur në Kinën juglindore.
Sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Menaxhimit të Emergjencave në vend, të paktën 80 persona ndodheshin brenda në ndërtesë kur ajo u shemb. Prej këtyre, nëntë arritën që të dilnin ndërsa 71 të tjerë mbetën nën rrënoja.
Prej 71 personave të bllokuar, 48 janë nxjerrë tashmë nga gërmadhat ndërsa për 23 personat e mbetur nuk dihet ende gjë. Në operacionin e shpëtimit janë angazhuar më shumë se 1,000 zjarrfikës si dhe persona të tjerë të cilët e kanë gdhirë duke u përpjekur që të gjejnë të mbijetuar.
Guo Yutuan u shpreh në lidhje me ngjarjen:
“Ne po përdorim instrumenta me anë të të cilëve mund të kërkojmë për shenja jete…Po bëjmë të pamundurën për të shpëtuar personat e zënë poshtë gërmadhave.”
Mes personave të shpëtuar ishte edhe një djalë i vogël bashkë me prindërit. Familja u dërguan në spital ku po marrin kujdes shëndetësor. /abcnews.al/