Mbrëmjen e së shtunës u bë e ditur se numri i të infektuarve me koronavirus në Itali është rritur në 5,883 persona.
Kështu vetëm gjatë ditës së sotme janë shtuar 1,145 raste të reja. Numri i personave që kanë ndërruar jetë ka shkuar 233, pra 36 persona më shumë se ditën e djeshme.
Nisur nga kjo situatë alarmante, presidenti i ISS, Silvio Brusaferro, i ka ftuar qytetarët që të sillen në mënyrë të përgjegjshme.
Tashmë qeveria e vendit po përgatitet për mbylljen e Lombardisë dhe 11 provincave. Në Lombardi dhe 11 provincat ku situata është më e rëndë janë pezulluar edhe ceremonitë civile apo fetare duke përfshirë këtu edhe ceremonitë funerale.
Gjithsesi, kishat dhe vendet e kultit do vazhdojnë të mbeten të hapura por me kushtin që të evitohen mbledhje njerëzish në një vend. Baret dhe restorantet do vazhdojnë te jenë të hapur por aktivitetet duhet të vazhdojnë me detyrimin e evitimit të kontaktit ndërsa menaxherët po udhëzojnë stafet që të mbajnë të paktën nga 1 metër distancë nga njëri-tjetri. /abcnews.al/