Kampionit më të ri ti botës në WBC, Tyson Fury, i ka ardhur një ofertë faraonike. Bokiserit britanik i ofrohen 10 milion sterlina në një ditë të vetme për tu ndeshur me një kundërshtar të panjohur në Sidnei. Këtë lajm e ka konfirmuar promotori i tij, Bob Arum.
Kundërshtari në fjalë është boksieri Jai Opetaia dhe nëse përgjigjja e Furyt është pozitive atëherë ndeshja do të zhvillohet në vitin 2021. Një ofertë që nuk mund t’i thuash jo duke parë dhe nivelin e Opetaias, por ende nuk ka një përgjigje zyrtare.
“Ne duam ta bëjmë këtë ndeshje. Na pëlqen të ndeshemi në vende të ndryshme, jemi shumë entuziastë. Gjithsesi ka kohë pasi bëhet fjalë për vitin tjetër. Sigurisht që do të jetë një event i madh dhe besoj se përgjigjja jonë do të jetë pozitive”, deklaron Arum.
31-vjeçari mposhti disa javë më parë ish-kampionin e botës, Deontay Wilder, duke i shkaktuar humbjen e parë në karrierë amerikanit. Është konfirmuar ndeshje e tretë mes të dyve, e cila do të zhvillohet në 18 korrik. Wilder do të kërkojë hakmarrjen si dhe në një video të postuar nga ai, ka deklaruar se titulli do të jetë sërish në duart e tij. /abcnews.al