Koronavirusi ka përhapur panik edhe në UEFA. Zhvillimi i Euro 2020 është në rrezik dhe në qeverinë europiane të futbollit nuk përjashtohet mundësia e shtyrjes ose pezullimit të kompeticionit të rëndësishëm.
Rreth kësaj çështje ka folur Aleksander Ceferin, kreu i UEFA-s. Slloveni sqaron situatën në një prononcim për Sky Sports, por nuk e humbet optimizmin. Në fund një koment për Manchester City dhe pezullimin dy-vjeçar të klubit anglez nga kompeticionet europiane për shkak të parregullsive në FPF (fair-play financiar).
“Çështja e shtyrjes së Euro 2020 është serioze dhe do të jetë tema kryesore për të cilën do të diskutojmë. Ne organizojmë shumë kompeticione dhe do bëjmë të gjithë llogaritë. Unë mbetem optimist dhe mendoj se do e kemi situatën nën kontroll përpara fillimit të Europianit. Kemi rezervuar hotelet në Londër për gjysmëfinalet dhe finalen, do të ishte një problem i madh mos të shkonim.
Manchester City? Ata, njësoj si klubet e tjera, janë një burim i rëndësishëm për ne. I respektojmë, nuk është e vërtetë që nuk na pëlqejnë, por ky proces është një tjetër gjë. Tema është delikate, nuk kam çfarë të shtoj më shumë. Kjo e jona nuk është një luftë kundër City, ne po mbrojmë pozicionin tonë. Çdo vit dënohen nga 5-10 skuadra, është një procedurë e rregullt në lidhje me shkeljet e klubeve“, deklaron Ceferin. /abcnews.al