Është ende vetëm 21 vjeç, por po fiton përvojën e duhur. Enea Mihaj po tregon se ka nerva të forta dhe po përballon edhe sfidat më të vështira, siç ishte kjo e PAOK-ut të Selanikut ndaj Olympiacos. Ishte gjysmëfinalja e parë e Kupës së Greqisë dhe Mihaj e festoi rolin e titullarit, duke fituar penalltinë vendimtare në fitoren 3-2.
Qendërmbrojtësi shqiptar i kombëtares detyroi lojtarin e Olympiacos ta prekte topin me dorë dhe gjyqtari nuk pati dyshime për të dhënë ndëshkimin maksimal. Mihaj po përballej me një konkurrencë të ashpër tek PAOK-u, ekipi kampion në fuqi i Greqisë, dhe minutat për të këtë sezon nuk ka qenë të shumta.
Ndoshta, kjo ndeshje mund ta bëjë trajnerin e tij që të ndryshojë mendje. PAOK-u fitoi 3-2, ndërsa skuadra finaliste do të përcaktohet në ndeshjen e dytë që do të luhet në Pire, e Mihaj shpreson të jetë sërish në formacion.
Pas ndeshjes, ai është shprehur: “Jam i lumtur, pasi kam punuar shumë dhe ajo punë m’u shpërblye. Duhet të vazhdoj të punoj fort. Sa i takon ndeshjes, ishte e vështirë. Luajtëm mirë në minutat e para, por Olympiacos na shënoi dy gola. Pavarësisht kësaj, PAOK është një skuadër që nuk dorëzohet kurrë dhe e ka treguar gjithmonë. Kjo është ajo çka bëmë, nuk u dorëzuam dhe fituam në fund”.
Në lidhje me Mihajn ka folur edhe trajneri i PAOK, Abel Ferreira. “Ai është nj kampion sa i takon punës që bën. Asnjëherë nuk largohet herët pas stërvitjes. Sot shkëlqyen të gjithë, ashtu sikurse edhe Mihaj. Kishte luajtur pak deri më tani, por në momentin që iu dha mundësia, u përgjigj shumë mirë”. /abcnews.al