Shkodra është qytet që zien. Njerëzit në qytetin verior janë shumë të pasionuar pas futbollit dhe çdo gjë atje komentohet shumë. Ish-futbollistë dhe trajnerë shpesh kritikojnë dhe hedhin akuza, duke prishur në njëfarë mënyre edhe atmosferën në ekipin kuqeblu.
Në lidhje me këto deklarata që bëhen ka folur edhe trajneri Mirsad Jonuz, pas ndeshjes së djeshme që Vllaznia barazoi me Kukësin në stadiumin “Elbasan Arena”. Fillimisht, për ABC News ai tha: “Nuk kam pasur kërcënime. Provokimet dhe fjalët negative vijnë nga disa ish-trajnerë apo trajnerë amatorë nëpër ekipet e tyre”.
Tekniku i kuqebluve thekson se nuk është i lidhur përjetësisht me Vllazninë dhe bën thirrje që tifozët të dalin në mbështetje të ekipet dhe këtë ta bëjnë në momentet e vështira që ekipi kalon, pasi pikërisht atëherë është e nevojshme diçka e tillë.
“Unë nuk jam i lidhur me Vllazninë, nuk kam kontratë 100-vjeçare. Mund të iki edhe në verë. Nuk është e drejtë nga ana e tyre të analizojnë disa ndeshje ku kemi humbur, apo të flasin negativisht. Tifozët tanë të na ndihmojnë kur është më e vështirë për ne. Gjithmonë kemi nevojë për mbështetje”, përfundoi Jonuz. /abcnews.al