Armando Cungu, trajneri i Laçit, i ftuar në emisionin Pressing në ABC News, ka folur gjerë e gjatë edhe për problematikën e arbitrave. Kurbinasit kanë qenë në shënjestër, pas fitores me Luftëtarin, për një penallti të akorduar në favor të tyre. Për Cungun ai 11-metërsh ishte i saktë, ndërkohë që shkodrani thekson se ata nuk janë ankuar në asnjë moment, edhe pse kanë pretendimet e tyre për ndeshje të veçanta.
“Laçi njihet si një klub që nuk merret me akuza e kundër-akuza, thashetheme. Në media rri pak në heshtje. Kjo vjen për shkak se s’ia vlen të harxhosh energji e kohë për gjëra të tilla. U morëm me derbin me shumë raste, ishte gol apo jo, ishte dora e Kristit (Vangjelit) apo jo. Qëndruam me minuta të tëra për të përcaktuar ishte apo jo dora. Po arbitri që e vendos në fraksion të sekondës?! Unë mendoj që nuk ka asnjë ekip në Superiore, që nuk mundet të ketë ankesat e veta.
LEXO EDHE: Penalltia në Gjirokastër: Mesazhi i Halilajt, zbulohet prapaskena në “Pressing”
Laçi ka lënë pikë sa të duash, edhe për gabime të arbitrave. Kurrë nuk i kemi etiketuar arbitruat, që u bë e qëllimshme, kurrë nuk kemi dalë të ankohemi as në konferenca për shtyp, as në media që të themi që na u bë kjo gjë. Na janë mohuar gola, penallti, madje brenda në Laç u janë dhënë gola ekipeve udhëtuese, gola pozicion jashtë loje. Kanë marrë pikë ekipet.
Sot Laçi, jo sot, por prej vitesh Laçi luan futboll. Mund të vish në Laç dhe të fitosh dhe të përcjellin si miq të gjithë. Na mundi Tirana e Partizani, u kemi dhënë dorën e i kemi uruar. Na eliminoi edhe Bylisi brenda, madje edhe mori penallti. Kjo nuk ka ndodhur me ne në ndeshjet e tjera. Kemi penallti të mohuara, që mund t’i faktojmë me pamje filmike. Janë disa ndeshje që është gabuar edhe kundër nesh”.
Cungut nuk i ka pëlqyer deklarata e presidentit të Luftëtarit, Bekim Halilaj, i cili u shpreh në një intervistë për “Panorama Sport” se “futbolli ka shkuar në mal dhe se Jugu po zhduket nga futbolli elitar”. Shkodrani thekson se nuk është normale as të mendohen gjëra të tilla në vitin 2020 dhe e konsideron si papërgjegjshmëri.
LEXO EDHE: “Këtu është e shitur çdo gjë, Jugu po zhduket dhe po shkon futbolli në mal”
“Nuk e di pse etiketohemi si gogol. Sot ka të drejtë të luajë gjithkush futboll, sado qytet i vogël apo i madh të jesh. Nëse je serioz në investimin tënd, ndoshta me investime jo aq kolosale, i rëndësishëm është serioziteti dhe puna që bëhet. Nuk duhet të paragjykohen njerëzit.
Unë si tifoz anglez duhet të them i bie të luajnë Sheffield dhe Nottingham gjithmonë në Premier League. Fakt është që ato kanë 20 vite që nuk e puthin atë kategori, edhe pse janë ndër ekipet më të vjetra të futbollit anglez. Kjo do të thotë që nuk më pëlqen ky paragjykim, sikurse edhe deklaratat të papërgjegjshme të individëve të caktuar.
Koka të nxehta, në vitin 2020 përmendin edhe veri-jug. Kjo është e pafalshme për mendimin tim. Ky është shqetësim im real, jo vetëm si trajner, por edhe si njeri. Në një botë të qytetëruar dhe në një klub të qytetëruar, ambienti sportiv dhe ai qytetar duhet të dënojnë me forcë mendje të tilla. Në vitin 2020, e thashë edhe njëherë, është e papranueshme të mendohen”, përfundoi Cungu në lidhje me këtë çështje./abcnews.al