Gonzalo Higuain në verë pritet të ndryshojë ekip. Sulmuesi argjentinas, i cili ka lindur në Francë, kërkon të jetë i rëndësishëm dhe rikthimi në Spanjë është një opsion që ka nisur të përflitet, madje shikohet edhe si një opsion për klubin më të veçantë: Athletic Bilbao.
Klubi bask ka një rregull interesant, që për ta luajnë vetëm lojtarë vendas, ose të lindur aty. Së fundmi është zbuluar që Gonzalo Higuain është me origjinë baske dhe mund të jetë një opsion për Athletic Bilbao në verë.
Në kampin bask do të duhet të diskutojnë, pasi më parë nuk është hasur një situatë e tillë që lejon apo ndalon baskët e diasporës të luajnë për ta. Sulmuesi i Juventusit e ka origjinën pikërisht nga Bilbao, por paraardhësit e tij ishin zhvendosur në Argjentinë.
Babai i Gonzalos, ka zbuluar një detaj interesant që e bën më të besueshëm gjithë këtë histori. “Babai im më thoshte se gjyshi e kishte mësuar atë se baskët nuk janë as spanjollë, as francezë, vetëm baskë”, shprehet Jorge Higuain, sipas Marca. /abcnews.al