Shqipëria është një ndër shtatë shtetet me intensitet të lartë të gripit në Europë.
Rreth 21 mijë e 700 persona kanë kërkuar ndihmën e mjekut për problemet në rrugët e frymëmarrjes vetëm javën e fundit.
Insituti i Shëndetit Publik vëren se numri është 19% më i lartë se e njëjta periudhë e vitit të shkuar dhe gripi është i përhapur në të gjithë territorin e vendit.
Në qarkullim vijojnë të jenë viruset e tipit A dhe B ndonëse ndryshe nga fillimi i sezonit nga mesi i muajit shkurt sipas Institutit të Shëndetit Publik mbizotëron tipi B.
Specialistët thonë se kemi të bëjmë me një situtatë normale, por rastet e rënda nuk mungojnë.
899 të sëmurë sipas Institutit të Shëndetit Publik kanë paraqitur komplikacione dhe kanë pasuar nevojë për trajtim në spital. 186 prej tyre kanë shfaqur nevojën për shtrim në repartet e terapisë intensive.
Për shkak të komplikacioneve nga gripi këtë sezon tre persona kanë humbur jetën.
Instituti i Shëndetit Publik këshillon qytetetarët të mbrojnë veten dhe të tjerët duke shtuar higjenën personale, si larja e shpeshtë e duarve, mbulimi i hundës dhe gojës kur tështini, shmagia e mjediseve të mbyllura apo ajrosja vazhdimisht e ambjentit ku qëndroni./abcnews.al