Orges Shehi u prezantua sot në krye të Kukësit dhe në ekipin verilindor ai do të gjejë një ish-shok skuadre, sulmuesin anësor, Enis Gavazaj. Durrsaku ka luajtur me të te Skënderbeu dhe tanimë do të jenë në pozicione të ndryshme.
Në takimet e fundit Gavzajt nuk i është besuar një fanellë titullari, ndërkohë që duhet thënë se nuk është se ka shkëlqyer me Kukesin këtë sezon. Shehi, pas konferencës, e tha me shaka se duhet ta kishim pyetur për të.
Gjithsesi ishte drejtori sportiv, Nderim Nexhipi, i cili në konferencën e sotme për shtyp u shpreh se Gavazaj shumë shpejt do rikthehet në formën më të mirë dhe beson se Shehi do jetë edhe çelësi për këtë.
“Enisi në fakt e ka filluar shumë mirë sezonin këtë vit. Edhe ai ka ardhur nga periudhë e gjatë pa minuta dhe nuk ka pasur kondicionin e duhur. Sidoqoftë e them me shumë bindje që Gavazaj shumë shpejt do të kthehet në formën e tij më të mirë.
Normal duke punuar në stërvitje dhe duke dhënë më të mirën në ndeshje. Orges e njeh Gavazajn akoma më mirë se të gjithë ne, pasi e ka pasur në ekip. Besoj se do të jetë edhe çelësi i rikthimit të formës së tij”, tha Nexhipi. / abcnews.al