Jonuz: Kushte skandaloze te Vllaznia, unë jam problemi më i vogël këtu

schedule16:28 - 29 Shkurt, 2020

schedule 16:28 - 29 Shkurt, 2020

Trajneri i Vllaznisë, Mirsad Jonuz, foli në emisionin “Gol pas Goli” në Supersport pas humbjes 0-1 ndaj Skënderbeut. Sipas numri një të stolit shkodran, te kuqeblutë, ka shumë probleme, duke filluar që nga kushtet stërvitore, e deri tek ajo që futbollistët japin në fushë.

“Është shumë e vështirë të dal të flas kur e humbin një ndeshje në minutën e fundit. 20 minutat e fundit kemi luajtur gabim, kemi pasur disa gabime në pjesën e parë, por që nuk ishin të rrezikshme. Në 20 minutat e fundit, kemi luajtur në mbrojtje. Kemi pasur gjithmonë frikë kundërsulmin dhe e dija që do të dënoheshim. Ishte një fatkeqësi që Ramadani u dëmtua dhe na duhej të linim Gurishtën. Në të tilla momente, dihet edhe fundi i ndeshjes.

Nuk e di si do të jemi ndeshjen e ardhshme, unë kam ardhur këtu për të bërë diçka në këtë ekip. Unë si trajner nuk do të humb gjë, administratori Lici nuk ka çfarë të humbë. Po më vjen keq, sepse lojtarët nuk e kuptojnë se duhet të luftojnë në fushë. Një minus i madh për ne, është se nuk kemi kushtet e duhura në stërvitje. Që para ndeshjes kundër Luftëtarit, kemi bërë stërvitjen vetëm me ujë. Këto nuk janë kushte për stërvitje.

Jemi detyruar të gjejmë një qoshe të fushës, këto kushte nuk të japin as mundësi të zgjidhësh problemet teknike ose taktike. Kemi që në muajin tetor që bëjmë stërvitje në një ambient pa bar. Të gjithë lojtarët, munden të humbin edhe kontaktin me topin kur stërviten në këto kushte. Nuk bëjmë dot as kombinime. Por gjithmonë neve na janë krijuar shanset për të shënuar, por nuk kemi mundur të gjejmë rrjetën. Në mbrojtje, humbin përqendrimin në markimin e lojtarëve. Unë jam i sigurt se unë si trajner, nuk humbi gjë, lojtarët humbin shumë, pasi ata jetojnë me këtë gjë. Ata duhet ta kuptojnë se duhet të japin maksimumin e vet.

Nuk është te kushtet, por është edhe te problemet e tjera. Nuk mund ta drejtoj stërvitjen kështu. Unë kam një takim me administratorin dhe nesër do të bëjmë analizën. Problemi më i vogël te Vllaznia, jam unë. Vllaznia ka me qenë gjithmonë, si pa mua, si pa ndonjë lojtar që është kështu. Më vjen shumë keq, pasi disa herë, i humbim ndeshjet në minutat e fundit”, tha Jonuz./abcnews.al