Mediat maqedonase raportojnë për një takim sekret mes ministrit të jashtëm grek Nikos Kotzias dhe atij maqedonas Nikola Dimitrov, në Vjenë. Në takimin që pritet të vazhdojë dhe gjatë ditës po diskutohen detajet e fundit të marrëveshjes për cështjen e emrit.
Në Vjenë në orët e mbrëmjes së të hënës ka nisur takimi me dyer të mbyllura mes ministrave të jashtëm të Greqisë dhe Maqedonisë, Nikos Kotzias dhe Nikolla Dimitrov. Sipas mediave maqedonase në takim është diskutuar për detajet përfundimtare të marrëveshjes për cështjen e emrit të Maqedonisë.
Takimi është konfirmuar dhe nga Ministria e Jashtme maqedonase përmes një deklarate për shtyp, por nuk janë dhënë detaje të tjera. Pritet që takimi të zgjasë dhe gjatë ditës, ku bashkë me dy ministrat e jashtëm do të jetë edhe ndërmjetësi i OKB-së për emrin Metju Nimic.
Ditë më parë kishte zëra se dy shefat e diplomacisë mund të takohen edhe në Sofje më 15 dhe 16 shkurt në kuadër të takimit joformal me homologët e vendeve anëtare të BE-së dhe vendeve aspirante. Mediat greke gjithashtu shkruajnë për një takim të mundshëm në nivel kryeministrash.
E përditshmja greke, “Ekathimerini” shkruan se me këto takime do të fillojnë negociatat e vërteta “operative”. Ndërsa draft-propozimi që do të përpilohet nga pala greke, do të jetë baza e diskutimeve për zgjidhjen e kontestit shumëvjeçar. Sipas mediave greke, Gorna Makedonija, pra Maqedonia e Epërme, si emër i papërkthyeshëm është më favorshëm nga propozimet e mundshme, megjithëse palët akoma nuk kanë negociuar për identitetin dhe gjuhën
/abcnews.al