Edhe pse sezoni ka ende shumë kohë për të përfunduar, Milani po planifikon ekipin e sezonit të ardhshëm. Drejtuesit kuqezi kërkojnë të ndërtojnë një ekip pretendent, i cili do të luftojë për vendet e para në kampionat.
Dhe për të bërë të mundur këtë zbuluesit e talenteve kanë filluar të monitorojnë disa lojtarë në Europë. Europa League është një kompeticion ku talentet e rinj tregojnë aftësitë e tyre dhe disa vëzhgues të Milanit ishin të pranishëm ditën e djeshmë në ndeshjen mes Benfikës dhe Shaktharit.
Sipas “Calciomercato.com”, Milani në klubin ukrainas kërkon shërbimet e sulmuesit anësor, Dodo. Gjithashtu nën vëzhgim janë dhe mesfushori me tipare sulmuese, Alan Patrick, si dhe braziliani Taison i cili në merkaton e verës ishte shumë pranë transferimit në Milano. Ndërsa nga Benfika të preferuar janë Ruben Dias si dhe sulmuesit Rafa Silva dhe Chiquinho. /abcnews.al