Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka shkarkuar nga detyra anëtarin e KLP-së, Besnik Cani. Gazetarja Glidona Daci raporton për abcnews.al se vendimi u mor pak më parë duke nxjerrë kështu përfundimisht nga Sistemi i Drejtësisë një tjetër prokuror.
Fillimisht Prokurori, Besnik Cani u konfirmuar në detyrë më 27 nëntor 2018 nga trupa gjykuese e udhëhequr nga Olsi Komici, me relator Lulzim Hamitaj dhe anëtare Brunilda Bekteshi.
Dy javë më pas, Cani u zgjodh anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë megjithëse kishte probleme me pasurinë.
Por vendimi i KPK për Besnik Canin u ankimua nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM) dhe pas tyre edhe nga Komisioneri Publik të cilët kritikuan vendimin e konfirmimit në detyrë të tij, pavarësisht problemeve të shumta me pasurinë, aftësitë profesionale dhe shkeljen e etikës.
Sipas Komisionerit Publik, vendimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit ishte “kontradiktor dhe jo-bindës” dhe se ishte marrë në interpretim të gabuar të ligjit.
“Komisioneri Publik, pas verifikimit të situatës faktike, analizës dhe vlerësimit të provave dhe akteve të dala nga hetimi administrativ i Komisionit, në konsideratë edhe të rekomandimit të ONM-së, çmon se vendimi nr. 84/2018 është i cenueshëm në tërësinë e tij, si dhe përmban shkaqe të mjaftueshme ligjore për t’u shqyrtuar nga juridiksioni rivlerësues i Kolegjit të Apelimit. Komisioneri Publik, duke u qëndruar të gjitha shkaqeve të parashtruara në ankim, vëren se për rastin objekt gjykimi, megjithëse kanë rezultuar rrethana dhe fakte të provuara se subjekti: (i) për kriterin e pasurisë, nuk ka paraqitur prova të mjaftueshme dhe shpjegime bindëse për të kundërtën e barrës së provës, lidhur me deklarimet e pasakta dhe të pamjaftueshme ndër vite të pasurisë, duke rezultuar dhe me mungesë të burimeve të ligjshme financiare për të përballuar njëkohësisht investimet, kursimet e deklaruara dhe shpenzimet e kryera ndër vite; (ii) për kriterin e aftësive profesionale, kanë rezultuar fakte e rrethana të cilat janë në papajtueshmëri dhe cenojnë etikën dhe figurën e magjistratit, mangësi të përsëritura dhe modele të papërshtatshme pune”, argumetoi Komisioneri Publik.
Vendimi i sotëm i KPA vjen në kuadër të ankimimit të bërë nga Komisioneri Publik për shkarkimin e anëtarit të KLP, Besnik Cani. /abcnews.al