Gjashtë të arrestuarit për ngarkesën me lëndë të rrezikshme në tragetin e mbërritur nga Brindizi që u bllokua në portin e Vlorës kanë dalë sot para gjykatës për masën e sigurisë.
Mbi të akuzuarit Festim Tafa, Kapiteni i tragetit S.T.DAMIAN, Kujtim Xhafellari, Zv/kapiten i tragetit S.T.DAMIAN, Elisabeta Cuni, Administratore e firmës “Delfini 1”, Arbër Cuni, Shoferi i fugonit, A.B, Drejtori operativ i një agjencie tragetesh dhe Zamir Kornuzi, Pronari Firmës “Kornuzi”, akuzohen për importimin, eksportimin ose transitimin e paligjshëm të mallrave të ndaluara ose të kufizuara që hyjnë e dalin në Republikën e Shqipërisë.
Të akuzuarit mund të rrezikojnë deri në 10 vite burg. Akuza e përfaqësuar nga Arjan Xhaferri, ka kërkuar “arrest me burg” për të gjashte të akuzuarit, ndërsa gjyqtarja Arbana Selmanaj është tërhequr për marrjen e vendimit.
Ndërkohë më parë punonjësit e arrestuar të tragetit gjatë dëshmisë së tyre mohojnë të kenë njohuri për përmbajtjen e lëndëve të rrezikshme dhe sipas tyre në brendësi të fuçive ka vaj për motorin e tragetit./abcnews.al